Një grup simpatizantësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që bartnin flamurin dardan dhe amerikan në dorë, kanë qëndruar sot pranë përmendores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në kundërshtim të zgjedhjes së Hashim Thaçit president i Kosovës.
Ndonëse LDK, që është në koalicion me PDK-në, do ta mbështesë zgjedhjen e Thaçit president, brenda strukturave të ndryshme të kësaj partie ka pasur zëra kundërshtues, veçanërisht mes mbështetësve dhe votuesve tradicionalë të partisë.
Në ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot vendosi që seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës të mbahet të premten në ora 11:00.
Seanca u thirr nga deputetët e koalicionit me iniciativë të shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci. Iniciativës i dhanë mbështetje edhe deputetët e LDK-së, ndonëse disa prej tyre kanë deklaruar hapur se do ta kundërshtojnë Thaçin në këtë seancë./Kosova Press