Si rekrutohen pjesëtarët e ISIS

81

Hetimi i televizionit britanik “Sky News” ka arritur të sigurojë mijëra dokumente që përmbajnë 22 mijë emra, adresa, numra telefonash dhe kontaktet e familjarëve të xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Para se të bashkohen me ISIS, shtetasit nga të paktën 51 vende të botës, ndërrojnë komplet identitetin e tyre. Por nuk mjafton kaq për t’u kthyer në një xhihadist. Ata bëhen pjesë e organizatës terroriste vetëm pasi plotësojnë formularin me 23 pyetje të hartuar nga krerët e Kalifatit.

Për autoritetet, shumica e emrave të përmendur janë te njohur. Ndër terroristët që rezultojnë në këto dokumente janë reperi 26-vjeçar nga Londra, Abdel Beri, po ashtu Junaid Hysein , i cili kishte planifikuar një sulm në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me dhjetëra të tjerë që shpesh janë bërë protagonistë të episodeve famëkeqe të ISIS të cilat më pas kanë bërë edhe xhiron e botës.

Por, risia e këtij investigimi është se bën një hap të madh përpara në zbardhjen e identitetit të një numri të madh xhihadistësh të panjohur më parë në Britaninë e Madhe, në të gjithë Europën Veriore, pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut, në Shtetet e Bashkuara si edhe ne Kanada.

Megjithatë vendndodhja e tyre është më e rëndësishme se gjithçka pasi ajo parandalon organizimin e sulmeve të mëtejshme terroriste.

Shumë prej tyre kanë shkelur në territoret e shteteve të ashtuquajtura “pikat e nxehta të xhihadit”, të tilla si Jemeni, Sudani, Tunizia, Libia, Pakistani dhe Afganistani, dhe në mungesë të monitorimit e kontrollit ata kanë patur mundësinë edhe për t’u kthyer në shtëpi sikurse të mos kishin bërë asgjë.