Si do te duket versioni Roadster i Lamborghini Centenario

151

Kompania Lamborghini premierën botërore të super-veturës së vetë Centenario, në version Coupe, e ka mbajtur javën e kaluar në panairin e veturave në Gjenevë. Po ashtu është njoftuar se në dispozicion do të jetë edhe versioni Roadster i këtij modeli.

Lamborghini ka konfirmuar se Centenarion do ta prodhojë në 20 njësi në version Coupe dhe 20 njësi në version Roadster, dhe se të gjitha këto tashmë janë të shitura. Përderisa presim që të shfaqet Centenario Roadster, para nesh janë edhe fotografitë jozyrtare të cilat tregojnë pamjen e tij të mundshme.

Centenario është ndërtuar për nder të datëlindjes së 100-të të themeluesit të kompanisë, Ferrucio Lamborghini, dhe është i bazuar në modelin Aventador, transmeton Koha.net. Ky model karakterizohet me motorin 6.5-litër V12 me kapacitet prej 770 kuajfuqi, në kombinim me marshin e Lamborghinit ISR (Independent Shifting Rod).

Versioni Coupe, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin vetëm për 2,8 sekonda, deri në 300 km/h për 23,5 sekonda, ndërsa atë maksimale mund ta arrijë deri në 350 km/h. Gjithashtu duhet theksuar se versioni Coupe i Centenarios peshon 1520 kilogramë, ndërsa raporti i peshës me fuqinë është vetëm 1.97 kilogramë për kuajfuqi.

Sa i përket çmimit, versioni Roadster i Centenarios pritet të jetë më shumë se 1.75 milion dollarë, aq sa kushton versioni Coupe.