Shqipëria u jep pasaporta tre kosovarëve (Foto)

Edhe pse Kosova është në fazën finale të bërjes së përfaqësueses së vet, Shqipëria vazhdon t’u jep pasaporta shqiptare futbollistëve nga Kosova.

Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Redi Jupi, e ka ftuar në skuadrën e tij Ylber Ramadanin, i cili në janar iu bashkua Partizanit të Tiranës. Ramadani tashmë është pajisur me pasaportë shqiptare. Përpos tij, pasaporta shqiptare u janë dhënë edhe dy futbollistëve tjerë të Partizanit, Mentor Mazrekajt dhe Labinot Ibrahimit.

Që të tre në të kaluarën ishin pjesë e Prishtinës.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka publikuar dekretin, duke konfirmuar dhënien e pasaportave shqiptare për tre kosovarët e Partizanit. Ramadani, Mazrekaj dhe Ibrahimi para pak ditësh hasën në probleme për të udhëtuar drejt Rusisë për të luajtur ndaj Krasnodarit në eliminatoret për Europa League, pasi shteti rus nuk e njeh Kosovën dhe pasaportat e tyre kosovare, raporton “Zëri.info”.

Derisa Mazrekajt dhe Ibrahimit pasaportat do t’u kryejnë punë në udhëtime me Partizanin, Ramadanit i duhet për t’u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare në një kohë kur Kosova po mundohet t’i mbledh futbollistët e shpërndarë të saj.