Shqipëria fiton Europianin… e fanellave

198

Vjen fitorja e parë Shqipërisë në Euro 2016. Besojeni apo jo, por uniforma e Kombëtares Kuqezi, është zgjedhur si më e bukura e turneut kontinental që do të zhvillohet këtë verë, në një sondazh të kryer nga faqja “on line” e kanalit prestigjioz Gjerman Sport1, (ish DSF), votuesit kanë zgjedhur fanellën e re të Kombëtares Shqiptare si më të bukurën e Euro 2016. Në fakt edhe mënyra se si e nis lajmin Sport1 është vërtet entuziazmuese ndërsa shkruan, nën foton ilustruese ku shfaqet Bekim Balaj gjatë një dueli me Alaban në miqësoren me Austrinë.

“Mësohet fituesi i parë i Kampionatit Europian, dhe është një outsider, Shqipëria. Fanella e saj është zgjedhur para ndeshjes së parë në Francë si më e bukura e turneut”.

Deklaratë kjo që vjen jo pa një farë keqardhjeje duke qenë se për të fituar këtë cmim special, Shqipëria ka lënë pas Turqinë, me Gjermaninë e tyre që është renditur në vendin e tretë. Shqipëria ka marrë plot 26 mijë vota nga të anketuarit, kryesisht gjermanë  që e kanë zgjedhur uniformën e kuqezinjve si më të bukurën e Francë 2016, pasi ka lënë pas me 2000 preferenca Turqinë që ka marrë 24 mijë vota, ndërsa Gjermania e vendit të tretë është e shkëputur shumë pas me vetëm 4.600 vota. Merr kështu një vlerësim popullor nga tifozët e gjithë kontinentit fanella e re e Kombëtares e prodhuar nga Macron e cila u prezantua vetëm pak ditë më parë në Tiranë. Shqipëria  që fiton në një sondazh europian është dicka e rrallë edhe kur bëhet fjalë për fanellat, një tjetër ogur i mirë ky për Shqipërinë në misionin historik, Francë 2016.