Shqipëri – Maqedoni, angazhohen 900 forca policie

136

Rreth 900 forca policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri – Maqedoni, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, mbrëmjen e së hënës.

Policia e qytetit verior ka publikuar edhe planin e masave, zbatimi i të cilit do të nisë mëngjesin e së hënës, teksa në rrugët kryesore që të çojnë drejt stadiumit nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy krahët.

Me qëllim shmangien e konfuzionit, hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 17, ndërsa policia bën apel që këta të fundit të jenë të pajisur edhe me mjet identifikimi.

Në planin e masave parashikohen edhe kontrolle të vazhdueshme fizike, për të mos lejuar futjen e sendeve të paligjshme në stadium. Po ashtu, të gjithë dyqanet dhe lokalet përreth “Loro Boriçit” do të mbyllen pas orës 15.

Për sigurinë e personaliteteve, që do të jenë të pranishëm në stadium, në gatishmëri do të jenë edhe efektivë të Gardës së Republikës.

Kjo është ndeshja e parë zyrtare e kombëtares në stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi”, ku interesimi i spektatorëve pritet të jetë maksimal, raporton Tch.

Edhe për policinë, menaxhimi i kësaj ndeshjeje pritet të jetë një mini-test për takimet e ardhshme që do të zhvillohen po në këtë stadium.