Shqipëri – Kosovë, ndeshje miqësore në nëntor?

Shqipëria dhe Kosova do të përballen në një tjetër ndeshjes miqësore në 11 nëntor përpara ndeshjeve në Ligën e Kombeve.

Lajmi është konfirmuar nga UEFA në faqen e saj zyrtare, ku saktësohet se miqësorja mes kuqezinjve dhe “Dardanëve” do të luhet në “Elbasan Arena”.

Nuk është saktësuar orari i zhvillimit të kësaj ndeshjeje, por pritet të vendoset me mirëkuptimin e të dy federatave.

Mendohet se data 11 nëntor do të ishte më idealja, pasi vjen katër ditë para ndeshjeve zyrtare.

Shqipëria zhvillon në muajin nëntor dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve në shtëpi (15 nëntor me Kazakistanin dhe 18 nëntor me Bjellorusinë).

Edhe Kosova i ka datat e njëjta, pasi me 15 nëntor luan me Slloveninë në Lubjanë, ndërsa me 18 nëntor në shtëpi me Moldavinë.

Ndeshja e fundit mes dy skuadrave është zhvilluar më 29 maj të vitit 2018 në Zvicër, ku Kosova kishte fituar me rezultat 3-0.