Shpend Ahmeti në Tiranë: Do ta kontestojmë gjithmonë Thaçin president

114

Opozita do ta kontestojë gjithmonë zgjedhjen e Hashim Thaçit si president, ka thënë sot në Tiranë kryetari komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ai ka dhënë një intervistë për televizionin Ora News të Shqipërisë.

“Kuvendi i Kosovës është kthyer në një teatër. Njolla e zgjedhjes së Thaçit president do të mbetet. Gazi, arrestimet, dhuna atë ditë dhe një person thellësisht përçarës dhe jo unifikues. Ligjërisht ai mund dhe të bëhet president. E thotë Gjykata Kushtetuese por legjitimiteti politik do të jetë i kontestuar për shkak të personalitetit dhe atë çfarë ka bërë vitet e fundit. Edhe pse ai thotë që unë nuk jam më i PDK-së por president. Ata rrallë kush e beson në Kosovë. Mbetet të shihet si do të funksionojë. Gjithsesi për opozitën, do ta kontestojmë gjithmonë zgjedhjen e Thaçit si president”, ka thënë Ahmeti

Por Ahmeti ka thënë në këtë intervistë se Hashim Thaçin nuk e sheh të ulur në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

“Nuk e di. Nuk e shoh dhe nuk do i gëzohem asnjërit të akuzuar në atë mënyrë, por secili që ka kryer krime në kohë të luftës duhet të përgjigjet për krimet. Jo nga një gjykatë speciale por nga një gjykatë në Kosovë. Ka njerëz, vetë partner të koalicionit që kënaqen duke thënë se do të shkojnë këta e ata në bankën e të akuzuarve. Unë mendoj se njerëzit që janë të akuzuar për korrupsion nuk duhet të gëzohemi se janë të akuzuar për krime lufte. Gjykata Speciale ndërkombëtare vetëm për shqiptarët nuk është e mirë. Gjykata për krime lufte në Kosovë për të gjithë do të ishte zgjidhja më e mirë”, ka thënë Ahmeti.

Sa i takon Prishtinës komunës që ai drejton, Ahmeti thotë se “pacienti është ringjallur dhe kanë nisur rrugën projektet madhore.

“Prishtina po ringjallet dhe po i kthehet qytetarëve të saj”.