Shkëmbi optimist për Lirinë, shikoni si e thrrasin futbollistët atë

Trajneri i Lirisë nga Prizreni, Bledi Shkëmbi, shfaqet i kënaqur me gjendjen e ekipit teksa ndodhen në resortin Tropikal.

“Faza po shkon mirë. Ndihemi mirë në resortin Tropikal ku ka qënë shtëpia ime. Faza fatmirësisht po shkon mirë dhe nuk ka dëmtime”.

Në këtë periudhë skuadrat mundohen të rregullojnë diçka pasi është periudhë merkatoje, dhe korçari i stolit të Lirisë i ka idetë e qarta për lëvizjet e kësaj periudhe.

“Jemi të kompletuar. Kaja është afrimi i fundit që së bashku me Toungaran që vjen nga Flamurtari do të na ndihmojnë shumë”.

Në fjalinë e parë të 38-vjeçarit bie në sy fakti që ndjehet si një njeri i shtëpisë. Që në startin e projektit të Skënderbeut aktual, Shkëmbi ka qënë lojtari kyç dhe kapiteni i saj, që së bashku me skuadrën janë akomoduar pikërisht në Resortin Tropikal.

Një ndjesi e çuditshme duke nisur që nga dhoma e qëndrimit por edhe teksa duhet të përshëndetet vazhdimisht me ish shokët e tij.

“Jam në një nga dhomat ku kam qëndruar edhe më parë. Jam këtu me ish shokët e mi. është diçka e bukur pasi kujtojmë kohët e vjetra. Si gjithmonë Vangjeli dhe Osmani i japin jetë grumbullimit. Ndjesi e çuditshme pasi ish shokët e mi më shohin sot si trajner i një skuadre tjetër. Shpresoj të ecin sa më mirë”.

Ajo që shkëmbi ka arritur me fanellën e Skënderbeut është diçka e papërsëritshme, pasi ka qënë simboli dhe lideri i skuadrës së qytetit të tij për shumë vite. Kënaqësia që i ka dhënë ambientit korçar ndjehet edhe sot, pavarësisht se vjen si trajner i një skuadre tjetër.

“Ajo që më jep kënaqësi është se vazhdoj të thirrem kapiten”, përfundoi Shkëmbi.