Shillova vendos përfundimisht, kjo do të jetë skuadra e tij në pranverë

Alban Shillova ka qenë njëri prej futbollistëve më të mirë në stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

Sulmuesi i Flamurtarit ka shënuar tetë gola në vjeshtë, që e bën golashënuesin më të mirë në kampionat, së bashku me sulmuesin e Llapit, Festim Alidema.

26-vjeçari është aktualisht nën kontratë me klubin nga kryeqyteti kosovar dhe nuk do të ndërrojë mjedis deri në fund të këtij sezoni.

Megjithatë, interesimi i klubeve tjera vendore dhe të rajonit për ta transferuar atë është shuar jashtëzakonisht shumë në javët e fundit.

Këtë e ka treguar vetë Shillova në një prononcim për gazetën “Zëri’’, i cili thotë se ka marrë oferta të shumta.

“Po, kam oferta prej shumë skuadrave kosovare dhe ato nga Shqipëria, por tani për tani, jam nën kontratë me Flamurtarin deri në fund të këtij sezoni”, ka deklaruar Alban Shillova të enjten.

Ai nuk ka preferuar që t’i zbulojë emrat e klubeve që janë duke e kërkuar në këtë dimër.

“Mund të them se jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Flamurtarit, ekip në të cilin jam përshtatur shumë mirë. Atmosfera në klub është tejet pozitive’’, theksoi Alban Shillova.

Stinorin vjeshtor, Flamurtari e filloi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mbajtur për disa javë edhe kreun e tabelës.

Megjithatë, kryeqytetasit e mbyllën këtë cikël në vendin e tetë, me 22 pikë të grumbulluara.

Dhe objektivi kryesor i Flamurtarit është që të mbetet në kampionatin elitar kosovar, gjithnjë sipas Shillovës.

Image

“E kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi treguar lojëra shumë të mira për publikun dhe për këtë jam shumë i lumtur. Siç dihet objektivi kryesor i Flamurtarit është që të ketë sa më shumë pikë dhe të mos bie nga Superliga. Shpresoj shumë se edhe në pranverë do të shfaqim lojëra të mira”, potencoi Alban Shillova.

Se a do të luftojë Shillova që të shpallet shënuesi më i mirë në ligë, ai e komenton këtë çështje në këtë mënyrë.

“Sa i përket formës së mirë të shënimit të golave, të them të drejtën, nga fillimi i sezonit nuk e kam pasur objektiv që të shpallem top-golashënues, por ka ecur mirë. Shpresoj se do të vazhdoj kështu. Gjithsesi është ende herët pasi që ka kaluar vetëm gjysma e sezonit. Primare për mua janë rezultatet e Flamurtarit. Do ta jap më të mirën nga vetja”, përfundoi Alban Shillova.

Flamurtari tash e disa ditë i ka nisur përgatitjet për pranverë.

Ai gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Dritën e Gjilanit, Fushë Kosovën, Lirinë e Prizrenit dhe Bylisin e Ballshit në Shqipëri.