Sherifi tregon se si arritën ta mposhtin Prishtinën, gjithashtu konfirmon lajmin se sa javë do të mungoj Mezani

Gjilani ka triumfuar në derbin e xhiros së tetë në Superligën e Kosovës në futboll, teksa e ka mposhtur në udhëtim skuadrën e Prishtinës me rezultat 2-0, raporton Gazetasheshi.com.

“Kuqebardhët” në këtë takim u drejtuan nga drejtori sportiv i kësaj skuadre, Sallah Sherifi.

Sherifi ka folur për Gazetën “Sheshi” duke treguar çelësin e fitores.

“Kemi dhënë maksimumin në këtë ndeshje. E kemi analizuar Prishtinën në të gjitha detajet. E kemi sulmuar në pikat e dobëta. Gjithashtu i kemi analizuar rrezikun që mund të na vinte nga skuadra vendase. Djemtë e kanë kryer punën me seriozitetin më të lartë dhe kësisoj arritëm t’i marrim pikët e plota nga kryeqyteti”, tha Sherifi.

Foto: FC Prishtina

Drejtori Sportiv i klubit e konfirmon se do të jetë në krye të bankinës edhe për 2-3 ndeshjet e ardhshme.

“Mezani pritet të mungoj edhe në dy apo tri ndeshjet e ardhshme për shkak arsyeve familjare. Ekipin do ta drejtoj unë me përkushtimin më të madh”, konfirmoi Drejtori Sportiv.

Gjilani të mërkurë do ta pres skuadrën e papërshtatshme, Besën e Pejës. Këtë ndeshje Sherifi e vlerëson si të vështirë dhe se duhet respektuar skuadra e re pejane.

“E kam përcjellë ndeshjen mes Besës dhe Feronikelit. Më kanë lënë përshtypja angazhimi i futbollistëve të ri pejanë. Ndeshjes do t’i qasemi me seriozitetin me të madh ashtu sikurse ndaj Prishtinës. Skuadra e Gjilanit në çdo ndeshje futet për pikët e plota”, shtoi më tej Sherifi.

Për fitoren historike të shënuar sot, Drejtori Sportiv i ‘kuqbardhëve’ ua ka dedikuar tifozit të ndjerë, Engjëll Smërqaku dhe tifozëve të klubit.

“Fitorja e sotme padyshim që i dedikohet tifozit tonë të ndjerë, Engjëll Smërqakut, por edhe tifozëve të zjarrtë të klubit të cilët nuk kanë pushuar asnjëherë së përkrahuri klubin”, përfundoi Sherifi.

Gjilani me fitoren e sotme renditet në pozitën e tretë me 13 pikë të grumbulluara.

/Gazeta Sheshi/

Sallah Sherifi, ish-trajner i KF Vllaznia