Shensoji: Gjici dhe Kapllanaj larg me futbollin aq sa Skënderbeu me internetin!

341

Naxhi Shensoji është rikthyer pas 34 vitesh në Kosovë për ta dhënë kontributin e tij si trajner pas shumë aventurave të kaluara në Turqi, Bullgari, Serbi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Azerbejxhan, shkruan Gazetasheshi.com.

Megjithatë, në të gjitha klubet ku ka punuar Shensoji e thotë me krenari ka transmetuar filozofinë jugosllave të futbollit, madje nuk ka arsye për ta fshehur këtë gjë.

“Shumë herë më kanë pyetur në Azerbejxhan nëse filozofia ime është nga futbolli turk apo jugosllav. E kam thënë këtë gjë dhe nuk kam arsye përse ta fshehim. Unë e kam transmetuar filozofinë e futbollit jugosllav dhe për këtë duhet të flasim me argumente. Kjo është njëra ndër arsyet përse ndoshta në Shqipëri xhelozojnë. Atje nuk i duan trajnerët nga Kosova, unë isha i pari dhe me gjas kam mbetur i fundit, pasi që askush më tjetër nuk ka shkuar”, deklaroi fillimisht Shensoji në emisionin “Arena Sportive” në “RTK”.

Naxhi Shensoji, trajner aktual i FC Lirisë

Për më tepër, Shensoji hodhi akuza të ashpëra ndaj drejtuesve të disa klubeve në Shqipëri, teksa konsideron se ata nuk kanë lidhje me futbollin, ani pse e duan atë.

“Të dish dhe të duash janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Ata që financojnë në klubet sportive janë si Skënderbeu me internetin. Shembull Safet Gjici i Kukësit dhe Besnik Kapllanaj i Bylisit nuk kanë lidhje me futbollin dhe janë shumë larg tij”, shtoi ndër të tjerash Shensoji.

Ai arriti të shkonte në finalen e Kupës së Shqipërisë me një skuadër jo pretendente si Bylisi. Që nga ajo kohë, klubi nga Ballashi nuk pati një sukses kaq të madhe dhe për këtë thotë se i vije keq, pasi që konsideron se skuadra e tij ishte vjedhur në atë takim.

“Kam arritur në finale me Bylisin, një skuadër jo shumë e madhe, por që arriti një sukses të madh. Në finale arbitrat na vodhën ndeshjen dhe këtë mund ta them lirisht. Që nga ajo kohë, skuadra e Bylis asnjëherë më nuk pati këso suksesi”, përfundoi Shensoji.

Ai kishte punuar gjithashtu te Kukësi, klub me të cilin nuk u nda në mënyrën më të mirë të mundshme.

Deklaratat e plota të Shensojit mund t’i ndiqni KËTU.

/Gazeta Sheshi/