Sheffieldi beson që Nuhiu ka kthyer formën me golin në Prishtinë

Trajneri i Sheffield Wednesdayt, Jos Luhukay, është i kënaqur që sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu ka shënuar gol për përfaqësuesen e Kosovës.

Luhukay shpreson që goli i shënuar për Kosovën do t’i ndihmojë lojtarit për të kthyer besimin dhe formën që i kanë munguar në ndeshjet e fundit kampionale në Championshp, transmeton Koha Ditore.

Nuhiu shënoi golin e dytë për Kosovën, që të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” mposhti Ishujt Faroe me rezultatin 2:0, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Nuhiu 29-vjeçar shënoi golin e dytë të Kosovës në minutën e 55-të. Për Kosovën ishte fitorja e parë në gara zyrtare, pas ciklit të botërorit “Rusia 2018”, që e mbylli me një barazim dhe nëntë humbje.

Nuhiu në pesë ndeshje sa u paraqit këtë edicion me Sheffield Wednesdayn ka shënuar vetëm një gol. Golin e shënoi në ndeshjen hapëse të edicionit 2018\2019 të Kategorisë së Dytë të Anglisë.