Shau Realin, Benitez humb miliona

125
Për të kritikuar Realin e Madridit, duhet të mendohesh dy herë. Nuk është aspak çudi që kushdo që u largua nga klubi spanjoll, nuk ka shprehur asnjë pakënaqësi në publik.

I pari që guxoi ta bëjë një gjë të tillë vitet e fundit është Rafa Benitez. Por, kjo do i kushtojë atij të paktën 1 milion euro. Pse? Në kontratën e firmosur me merengesit, çdo trajner, futbollist apo drejtues ka edhe një pikë, që cilësohet si “klauzola e heshtjes”.

Në momentin që ata largohen, nuk duhet të shprehin asnjë pakënaqësi apo të japin deklarata që dëmtojnë imazhin e klubit. Në të kundërt, do penalizohen me minimalisht 1 milion euro, në varësi të dëmit të shkaktuar nga deklaratat e bëra.

“Te Reali kishte shumë tension. Çdo gjë është perfekte, deri në momentin që ekipi nuk merr një rezultat pozitiv. Presidenti Florentino Perez ushtron shumë presion dhe kjo ia vështirëson punën një trajneri, i cili duhet të mendojë për dy ndeshje në javë.

Nuk është aspak e çuditshme që ka ndryshuar kaq shumë trajnerë gjatë këtyre viteve. Madje, është ai përgjegjësi që Barcelona ka fituar pesë tituj kampionë në shtatë edicionet e fundit, ndërsa Reali dhe Atletiko kanë marrë nga një”, pati thënë Benitez në “Bein Sport”, para duelit me Romën.

Në fakt, klubi madrilen është vënë menjëherë në lëvizje, për t’i kujtuar atij klauzolën e kontratës dhe për këtë arsye duan dëmshpërblim. Në të shkuarën ka pasur mjaft personalite të njohura që firmosën “klauzolë heshtje”.

Përveç trajnerëve si Murinjo apo Ançeloti, ai që thuhet se përfitoi plot 13 milionë euro për të mos folur kundër klubit, ka qenë Raul. Edhe pse pritej që ikona e merengesve ta mbyllte karrierën aty ku e nisi, pati një transferim surprizë te Shalke. Gjithsesi, sulmuesi spanjoll nuk kritikoi për asnjë moment, madje refuzoi që të japë shumë komente. Nëse do e kishte bërë, do i shkaktonte vetes një dëm të madh ekonomik.