Serie A, e zhytur në borxhe

90

Kampionati italian i futbollit nuk e ka më shkëlqimin që kishte dikur. Derisa investimet e sheikëve, amerikanëve apo edhe rusëve në kampionatet tjera europiane, në Itali janë duke munguar.

Sipas një analize që ka bërë prestigjiozja italiane “Gazzeta Dello Sport”, vetëm në sezonin e shkuar 2014/15, skuadrat italiane janë në deficit prej 365 milionë eurosh, shifër kjo shumë më e madhe se në sezonin 2013/14, me ç’rast borxhi ishte vetëm 220 milionë.

Si pasojë e kësaj krize ekonomike, skuadra e njohur italiane Parma ka falimentuar, derisa edhe shumë skuadra të tjera nga Serie A, janë zhytur në borxhe.

Pagesat janë ngritur dukshëm për shkak të konkurencës nga kampionatet tjera, mirëpo të ardhurat nuk kanë ndryshuar fare. Edhe rregulli për bashkëpronësinë është larguar tërësisht dhe kjo ka ndikuar që klubet tashmë të mendojnë tjera zgjidhje për të mbushur arkat e tyre.

Vetëm dy klubet nga Torino, Juventus dhe Torino mund të buzëqeshin pasi gjenden në bilanc pozitiv, derisa një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Inter-in e Romën, që janë peng i bankave pas huave të marra.

Prapa nuk mbetet as Milan, skuadrën për të cilën Silvio Berlusconi ka marrë përsipër për shlyerjen e borxheve.