Sergio: Ja përse iu bashkova Skëndërbeut

200

Sergio Junior është futbollisti më i ri i Skënderbeut. Sulmuesi brazilian nënshkroi ditën e djeshme për kampionët, ndërkohë që sot do të dalë në stërvitjen e parë sezonale, nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostinelli. Sergio u aktivizua sezonin e kaluar për klubin e Hajvalisë, nënkampionët e Kosovës, ku me golat dhe lojën e tij u kthye shpejt në liderin e ekipit kosovar. 21-vjeçari ka folur për faqen zyrtare të klubit korçar, duke u shprehur mjaft i emocionuar për këtë lëvizje.

Sergio, ke nënshkruar tashmë për Skënderbeun. Cili është opinioni juaj i parë për ekipin?
Jam shumë i lumtur që nënshkrova për këtë klub, sigurisht është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe jo vetëm. Këtu jam pritur shumë mirë nga futbollistët dhe stafi. Është ambienti i duhur për të dhënë maksimumin.

Duke e njohur grupin e lojtarëve, a besoni se Skënderbeu mund të fitojë titullin e shtatë radhazi?
Skënderbeu ka një grup lojtarësh mjaft cilësor. Mbi të gjitha, grupi është i bashkuar dhe optimist, ndaj besoj se do ta fitojmë titullin. Shpresoj të kontribuoj sa më shumë për arritjen e objektivave sezonalë.

Cili është pozicioni juaj ideal në fushë?
Më pëlqen të luaj si sulmues i dytë, por mund të jap maksimumin tim edhe në të dy krahët e mesfushës. Gjithsesi, këto janë zgjidhje të trajnerit. Unë jam këtu për të dhënë më të mirën.

Cili është mesazhi juaj për tifozët?
Kam dëgjuar që Skënderbeu ka një tifozëri të zjarrtë. Iu premtoj të gjithëve se do të jap maksimumin tim për të fituar kampionatin, por dhe zemrat e tifozëve.