Serbet në veri fillojnë fushatën e zgjedhjeve, Qeveria e Kosoves ende s’ka qëndrim

467

Derisa në veri të vendit, ka filluar fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë dhe janë vendosur pllakata elektorale të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Kosovës ende nuk ka diskutuar për këtë çështje. Zyrtarë qeveritarë pohojnë se tek gjatë javës së ardhshme pritet që ata të mblidhen, të diskutojnë dhe të marrin vendim se si duhet vepruar më tej.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi tha për KosovaPress se Qeveria do t’i ndjekë praktikat më të mira ndërkombëtare rreth kësaj çështje. Ai pranon se ende s’kanë biseduar asgjë për fushatën e filluar dhe as për zgjedhjet serbe, se do të lejohen të mbahen apo jo në veri të vendit.

“Për fushatë, ne ende nuk e kemi diskutuar. Besoj që gjatë javës apo javës së ardhshme do të marrim qëndrim dhe do të diskutojmë procesin zgjedhor në përgjithësi, sepse ka pyetje nga mediat dhe nga publiku se si do të veprohet. Nëse do të lejohen të votojnë apo mos të votojnë, mirëpo ne do t’i ndjekim praktikat më të mira ndërkombëtare rreth kësaj çështje, por për momentin nuk është diskutuar dhe nuk është marrë asnjë vendim”, tha Abrashi.

Ndërsa Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thotë se Qeveria nuk do të duhej të lejonte një gjë të tillë. Ajo thotë se sipas konventave ndërkombëtare, ekzistojnë rrethana specifike ku një shtet lejon zgjedhjet e një shteti tjetër, e ato janë vetëm nëse shteti tjetër ka ambasadë dhe marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe atëherë shtetasit e Serbisë, do të mund të lejoheshin në ambasadën e tyre. Metodat tjera, sipas saj, nuk do të duhej asesi që të lejohen.

Ajo pohon se Qeveria e Kosovës do të duhej të reagonte dhe të mos lejonte një gjë të tillë.

Ndryshe, ditë parënë Veri të Mitrovicës janë vendosur pllakata elektorale të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, në të cilat në alfabetin cirilik shkruan ‘ Të bashkuar mundemi gjithçka – Aleksandar Vuçiq – Serbia do të fitojë”. Përmes këtyre pllakatave u dërgohet mesazh qytetarëve serbë të veriut, që të votojnë kryeministrin aktual serb Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë që do të organizohen më 24 prill./KosovaPress/