Selektori i ri shpall listën për dy ndeshjet me Rumaninë

230

Bujar Qerimi ka shpallur të hënën listën e tij të parë si përzgjedhës i Kosovës në hendboll. Qerimi, që vlerësohet prej emrave më të njohur të hendbollit kosovar, në postin e selektorit është zgjedhur më 17 shkurt, ndërsa të premten nis punën me hendbollistë për dy ndeshjet e vështira të javës së ardhshme.

Kosova më 10 mars në Prishtinë takohet me Rumaninë. Me të njëjtën përfaqësuese hendbollistët e Kosovës luajnë edhe më 14 mars në Bukuresht. Janë këto ndeshjet e radhës në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Evropianin 2022. Kosova i ka humbur dy ndeshjet e para, nga Mali i Zi dhe Suedia, ndërsa javën tjetër e presin po ashtu dy ndeshje të vështira. Gjasat për sukses nuk vlerësohen shumë të mëdha, por është premtuar angazhim maksimal.

“Përfaqësuesen tonë e presin dy ndeshje të vështira me Rumaninë, por synimet janë për mobilizim të plotë dhe për të dhënë maksimumin në tentim për fitore ndaj rumunëve”, ka njoftuar FHK-ja.

Kosova më 4 nëntor pësoi 32:25 nga Mali i Zi në Podgoricë. Me gjithë humbjen, paraqitja ishte vlerësuar. Më 8 nëntor në Prishtinë, Kosova pësoi bindshëm, 30:16 nga Suedia. Suedia është përfaqësuese e nivelit më të lartë botëror dhe ishte e pakonkurrencë në atë sfidë. Suedia ka luajtur në finale të Botërorit në fillim të vitit.

Për ndeshjet e nëntorit në postin e trajnerit ishte spanjolli Javier Cabanas. Cabanas vazhdon të drejtojë Besa Famgasin, kurse mori drejtimin e përkohshëm të përfaqësueses në mungesë të Taip Ramadanit. Ramadani, që jeton në Australi, e kishte të pamundur udhëtimin për në Kosovë. Ai nuk ka mundur të udhëtojë as për ndeshjet me Rumaninë dhe muajin e kaluar paraqiti dorëheqjen. Bordi i FHK-së pranoi dorëheqjen e tij dhe zgjodhi Qerimin në postin e përzgjedhësit.

Qerimi ka llogaritur në emra të konfirmuar. Besa Famgas prezantohet me pesë lojtarë, sa edhe Prishtina. Festim Mustafa është ftuar nga Kastrioti, ndërsa nga Zvicra vijnë katër lojtarë. Liridon Zena bën karrierë në Kroaci, Leonard Gegaj në Suedi e Armend Alaj në Gjermani.

Kosova ishte takuar me Rumaninë në eliminatoret e para të saj, ato për Evropianin 2018. Si vendase, Rumania kishte fituar 36:24, kurse ndeshja në Prishtinë u mbyll me shifrat 30:16. Ndeshjet ishin luajtur në vitin 2014.

Në janar të vitit të kaluar, Kosova pësoi tjetër humbje të thellë nga Rumania, 32:21. Ndeshja ishte luajtur në Benevento të Italisë në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021. Kosova kishte përfunduar e dyta në grup, pas Rumanisë. Në ndeshje ndaj saj kishte pasur mungesa të shumta te Kosova për shkak të një virusi. Kosova në Benevento kishte barazuar me Italinë dhe e mposhti Gjeorgjinë. Ndërkohë në kualifikimet e kaluara për Evropian kishte fituar ndaj Izraelit dhe kishte barazuar me Poloninë. Në FHK vlerësojnë se këto rezultate dëshmojnë për rritjen e ndjeshme të përfaqësueses në vitet e fundit. Fazat parakualifikuese tashmë janë shmangur.

Grupi aktual vlerësohet shumë i fortë. Dhe secila pikë e fituar do të ishte e madhe për Kosovën.

Më 28 prill Kosova e pret Malin e Zi, ndërsa eliminatoret i mbyll më 2 maj në udhëtim ndaj Suedisë.

Hendbollistët e ftuar për ndeshjet me Rumaninë:

Kastriot Jupa (Besa Famgas), Valon Dedaj (Kreuzlingen – Zvicër), Drenit Tahirukaj (Kreuzlingen – Zvicër), Deniz Terziqi (Prishtina), Armir Agushi (Prishtina), Oltion Beshiri (Prishtina), Luigj Quni (Amicitia Zuerich – Zvicër), Festim Mustafa (Kastrioti), Drilon Tahirukaj (Besa Famgas), Lulzim Shabani (Prishtina), Haris Berisha (Kreuzlingen – Zvicër), Bujar Ramosaj (Besa Famgas), Jon Muqolli (Besa Famgas), Leonard Gegaj (Karra – Suedi), Rron Ramadani (Prishtina), Egzon Gjuka (Besa Famgas), Liridon Zena (Zamet – Kroaci), Armend Alaj (Eisenach – Gjermani)