Sejdiu zbulon rivalët e Besës për titull

Skuadra e Besës të premten do t’i nisë përgatitjet për edicionin e ri të garave të Superligës. Kështu ka deklaruar trajneri, Gani Sejdiu.

Sipas teknikut mitrovicas, dy fazat e para të përgatitjeve do të zhvillohen në Kosovë, kurse, faza e tretë jashtë Kosovës.

“Përgatitjet nisin të premten, ku fillimisht dy fazat do t’i zhvillojmë në Kosovë, kurse fazën e tretë jashtë Kosovës”, ka thënë Sejdiu për Sporti24.

Ish-trajneri i disa skuadrave elitare të vendit tonë, thotë se sikurse në çdo vit, edhe në kampionatin e ri, objektivat e Besës janë kreu i tabelës.

Ai mendon se skuadra e tij do të jetë një ekip konkurruese për majat e tabelës. Sejdiu mendon se është herët të flitet për skuadrat që do të luftojnë për titull të kampionit, por ai beson se Besa, Feronikeli, Prishtina, Liria, Gjilani e Llapi do ta kenë fjalën kryesore.

“Pretendimet tona dihen, kreu i tabelës. Kemi bërë një ekipe konkurruese dhe kualitative, ku nuk kemi dashtë që ta ngarkohemi më shumë përforcime, por kemi krijuar një ekip shumë solid dhe kualitativ për më konkurruar me skuadrat tjera”.

“Për mendimin tim ende është herët më konkluduar se kush janë pretedentët kryesor për titull, por Feronikeli, Prishtina, Besa por aty do të jetë edhe Liria, Gjilani dhe Llapi, por mund të jetë edhe dikush tjetër në garën për titull të kampionit”, ka theksuar Sejdiu.

Ai beson se sezoni i ri do të jetë edhe më i fortë se kampionati i kaluar.