Sanchez e tepron: Jam në të njëjtin nivel me Mesin dhe Ronaldon

139

Alexis Sanchez beson se është në të njëjtin nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Sulmuesi kilian ka qenë shok ekipi me Mesin te Barcelona deri para se t’i bashkohej Arsenalit në verën e vitit 2014. Ai hyri menjëherë në zemrat e tifozëve të ekipit londinez dhe në 68 ndeshje kampionati ka shënuar 30 gola.

Mesi dhe Ronaldo cilësohen si dy më të mirët e futbollit të sotëm dhe prej tetë vitesh e kanë monopolizuar luftën për “Topin e Artë”, por Sanchez beson se është në të njëjtin nivel me ta.

“Kam arritur një nivel ku mund të krahasohem me lojtarët e mëdhenj dhe nuk ndjehem inferior ndaj askujt. Cilësitë e mia mund t’i krahasoj me Mesin dhe Ronaldon, kam të njëjtat aftësi si ata”, ka thënë 27-vjeçari për të përditshmen sportive katalanase “Sport”.