Samir Ujkani komenton miqësoren Feronikeli – Milan, tregon edhe për problemet e kosovarëve me viza

Samir Ujkani i ka dhënë fund aventurës së paraqitjeve në ligën elitare të Turqisë.

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës më nuk është pjesë e skuadrës së Rizesporit, ku ka luajtur para transferimit te Fenerbahçe, Vedat Muriqi.

Ai ka pasur vetëm një paraqitje për klubin e Rizes gjersa ishte zgjedhja e dytë e ish-trajnerit, i cili tani drejton Basaksehirin, Okan Buruk.

“Vitin e kaluar nënshkrova për tre vite me një dëshirë të madhe për ta provuar një aventurë të re. Por, pas dy muajsh, gjithçka ndryshoi dhe drejtuesit e klubit bënë zgjidhjen”, filloi bisedën Samir Ujkani me “TuttoMercatoWeb”.

Në mes të tjerash, Ujkani ka folur edhe për miqësoren mes Feronikelit dhe Milanit, e cila zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kapiteni i Kosovës thotë se kjo është një mundësi e madhe për shtetin e Kosovës.

“Një mundësi e mrekullueshme për shtetin e Kosovës. Kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm që ta shohin Milanin, kështu që do të jetë një moment special. Shpresoj në një ndeshje spektakolare”, vlerësoi Ujkani.