Sahiti për Trepçën ’89: Ata e dinë se me çfarë ekipi kanë punë

Vëllaznimi e zhvillon nesër ndeshjen e parë gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll me ç’rast do të përballet me Trepçën ’89.

Sfidën e cila do të zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Gjakovës, e ka komentuar mbrojtësi i mirënjohur i kësaj skuadre, Samir Sahiti.

Ky i fundit vjen nga Mitrovica dhe e njeh shumë mirë Trepçën ’89 pasi që ka luajtur më parë në këtë ekip derisa edhe karrierën e ka nisur në ekipin nga ‘Riza Lushta’.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për neve. Trepça ’89 është skuadër shumë e fortë dhe luan futboll të bukur. Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe do të hyjmë që të luftojmë në mënyrë që ta nxjerrim një rezultat sa më të favorshëm. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë, por besoj se edhe ata e dinë se më çfarë ekipi kanë punë”, ka thënë për Zëri.info, Samir Sahiti.

“Për mua do të jetë një ndeshje e veçantë pasi që kam dal nga akademia e Trepçës ’89 dhe kam qenë për 10 vjet pjesë e saj. Por, tani jam diku tjetër dhe aty ku jam, dua që të arrijë suksese”, ka deklaruar ndër të tjera, Samir Sahiti.