Safet Avdimetaj rrëfehet për titujt botëror, ushtrimet me Klitshckon dhe kontaktet me Haxhi Krasniqin

164

Safet Avdimetaj, 27 vjeçar është ndër boksierët më të mirë shqiptarë.

Në 19 meçe, Avdimetaj ka 16 fitore (4 K.O), 2 barazime dhe 1 humbje dhe pritet shumë nga ai në të ardhmen.

Safet Avdimetaj ka qenë kampion evrope, bote e Gjermanie në kategorinë e juniorëve dhe po punon shumë që në të ardhmen të bëjë krenar të gjithë shqiptarët.

Ai në meçin e fundit ndaj Rostam Ibrahim barazoi pas vendimit të gjyqtarëve, por thotë se do të ketë rimeç.

“Kam qenë i përgatitur mjaft mirë, nuk bën me harru që 14 muaj s’kam qenë në ring – për çdo boksier është vështirë pas një pauze, megjithatë e kam ndi veten shumë mirë. Meçi ka qenë mjaft i fortë, por gjyqtarët e kanë vlerësuar si barazim. Për mendimin tim nuk ka qenë shumë vendim i saktë, por secili ka mendimin e tij. Besojë që do të bëhet një ri-meç në të ardhmen e afërt”, tha fillimisht Safet Avdimetaj për “GazetaBlic Sport”.

Ai thotë se pandemia ia ka vështirësuar punët si boksier, pasi po i mungon ringu.

“Me të vërtetë është kohë e vështirë jo vetëm për boksierët, por për të gjithë botën. Nga fillimi i pandemisë kemi kaluar kohë të vështirë, pasi çdo boksier e sheh vetën më mirë kur është në ring dhe kur përgatitet. Kemi pas pak probleme, por tani kemi filluar dhe jemi rikthyer në ring. Shpresojë që do të kalojë pandemia dhe të vazhdojmë tutje”, vazhdoi Avdimetaj.

27 vjeçari zbulon karrierën e tij, duke potencuar se është kampion i Evropës, kampion i Botës dhe kampion i Gjermanisë në kategorinë e juniorëve.

“Unë nga viti 2014 jam boksierë profesionist, kam qenë kampion i Europës, kampion i Botës dhe kampion i Gjermanisë në kategorinë e juniorëve. Kam punuar shumë për të arritur këto tituj. Bilanci nuk është 100%, por është shumë shumë e mirë. Kampion botëror i juniorëve nënkupton kampion deri në moshën 24 vjeçare. Kam fituar si 23 vjeçar me K.O. Tani po mundohem të arrijë atë çfarë e ka arritur i pari boksier, Haxhi Krasniqi – por është rrugë e gjatë. Kam forcë dhe vullnet ta bëjë një gjë të tillë.”

Ai gjithashtu flet edhe për meçin me një boksier serb si dhe kontaktet me Vladimir Klitschkon e Haxhi Krasniqin.

“Ka pas shumë provokime nga kundërshtari serb në një meç. Edhe pse s’kam qenë në luftë dhe s’kam qenë këtu, ky gjithmonë mbetet vendi im. E di sa kemi vuajt ndaj serbëve dhe kjo më ka dhënë forcë ta mposht serbin. Më vjen mirë që kam fituar, edhe herave tjera shpresojë të fitojë ndaj tyre.”

“Puna me Haxhi Krasniqin është krenari për mua, motivohem shumë nga ai. Ai na përkrah jashtëzakonisht shumë”.

“Kemi kontakte edhe me Klitschkon. Na uron ditëlindjet dhe kemi stërvitur disa herë në kampe me të”, përfundoi Avdimetaj.