Rusia: Rebelët po përdorin armë kimike në Alepo

168

Ushtria ruse beson se rebelët sirianë përdorën substanca toksike në Alepo, diçka për të cilën Moska ka informuar edhe SHBA-në. Sipas mediave siriane, gazi toksik ishte brenda predhave që rebelët përdorën kundër ushtrisë qeveritare dhe zonave që ajo kontrollon në qytetin e ndarë.

Agjensia e lajmeve ruse Interfax tha se 7 njerëz humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit me armë kimike të martën. Ende nuk ka një konfirmim të pavarur të akuzave ruse, të cilat u bënë pas raporteve mediatike se në provicën Idlib u përdor gaz klorinë në luftime pasi u rrëzua një helikopter ushtarak rus.

Beteja për Alepon vazhdon e ashpër që prej fundjavës, ndërsa rebelët përpiqen që të çajnë rrethimin e ushtrisë. Pritet që kjo betejë të jetë vendimtare për të ardhmen e qytetit që dikur ishte një qendër tregtie dhe tani është shndërruar në rrënoja pas 5 viteve lufte civile.

Rreth 300 000 civilë kanë mbetur të bllokuar në qytet dhe pavarësisht hapjes së korridoreve të evakuimit nga rusët, shumë pak njerëz i kanë përdorur ato. Raportet e fundit që vijnë nga terreni thonë se ushtria siriane, e mbështetur nga avionët rusë, ka përparuar ndaj rebelëve. Sipas ekspertëve, është mëse e qartë se rebelët nuk mund të mposhtin ushtrinë siriane, sidomos me mbështetjen ruse që kjo e fundit ka. Forcat e opozitës po tentojnë të rezistojnë sa më shumë në përpjekje që të arrijnë një marrëveshje duke shpresuar në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, që prej kohësh paralajmëron për katastrofën njerëzore në Alepo, por që në terren nuk ka bërë asgjë.

Megjithatë, hapja e korridoreve të evakuimit nga Rusia ishte një mesazh i qartë për rebelët që të largoheshin duke dorëzuar qytetin dhe duke shpëtuar kokën. Ndërsa edhe alternativa që ata duken se kanë zgjedhur është po aq e qartë.