Rooney rikthehet në stërvitje

81

Kapiteni i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, është rikthyer në stërvitje, por nuk është ende i gatshëm për lojë, lajmin e ka konfirmuar trajneri, Louis van Gaal.

Rooney ka qenë jashtë fushave për shkak të një problemi me gju, që nga humbja prej 2:1 nga Sunderlandi me 13 shkurt.

Unitedi kanë një test të vështirë para vetës në luftën për të siguruar një vend në top katërshe, për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.

‘Djajtë e Kuq’ do të përballen të dielën me Tottenhamin, që renditen në pozitën e dytë në tabelë. Edhe përkundër se Rooney është rikthyer nga lëndimi, Louis Van Gaal ka thënë se nuk mund t’i ndihmojë skuadrës së tij në këtë ndeshje.

“Rooney po luan me U’21-shat. Shërimi i tij po shkon shumë mirë. Ai është stërvitur me ne dy herë deri më tani, por ka nevojë që të përmirësohet fizikisht”, ka deklaruar Van Gaal.

Van Gaal ka thënë se gjithashtu edhe Ashley Young e Phil Jones janë rikthyer nga lëndimet, por nuk janë ende të gatshëm për lojë.