Ronaldo apo Leo Messi? Ja çfarë mendon Carlo Ancelotti!

154

Carlo Ancelotti është një personalitet i jashtëzakonshëm i futbollit. Ai thotë se titujt e zbukurojnë karrierën e një trajneri, teksa konfirmon rrugën e tij të veçantë në këtë profesion, duke u përpjekur të imponojë një logjikë miku te lojtarët e tij, jo përplasjen dhe konfliktin. Për këtë, italiani është shumë krenar që ka drejtuar disa yje në botën e futbollit, por s’ka pasur asnjë konflikt me ta. Në një intervistë për “Marca”, trajneri aktual i Bayern Munich iu përgjigj fillimisht pyetjes se si ndihet në rikthimin e tij pas një viti pushim.

“Përderisa flitet për futboll, jam gjithmonë i lumtur. U ktheva në trajning në një klub shumë të mirë. Një vit pushim më ka relaksuar shumë. Imagjonini, kam jetuar edhe në Kanada, – përgjigjet Ancelotti, i cili nuk i shpëton dot interesimit të gazetarit për ndjesitë e të qënit në krye të Real Madridit. – Për cilindo koleg timin, që ka këtë profesion, të bëhesh trajner i Real Madridit, diku në jetën e tij, është gjëja më e madhe në botë. Kjo është një përvojë shumë e bukur, pothuajse unike. Ajo çfarë ndodh në Madrid nuk do të të ndodhë në ndonjë ekip tjetër. Dy vitet në “Bernabeu” kanë qenë shumë intensive, por edhe shumë të bukura”.

Dhe mbërrin pyetja kruciale për cilindo: CR7 apo Messi, cili është më i mirë? “Unë nuk e kam trajnuar Messi. Pra, nuk mund të them se e njoh në detaje. Cristianon e kam stërvitur te Real Madridi dhe e di mirë potencialin e tij. Nuk dua të veçoj njërin apo tjetrin, por konkurrenca e tyre, me njëri-tjetrin, i ndihmon të dy në futboll. Ata janë më të mirët dhe kanë një imazh të përsosur. Të tjerët kanë pasur cilësitë e tyre, por jo imazhin. Ata të dy janë shumë të rëndësishëm për futbollin.” Në fund, pyetja: a do të dëshironte Carlo Ancelotti të kthehej në stolin e Real Madridit? “Me siguri. Nuk ka asnjë arsye për të mos e bërë këtë. Ishte një përvojë shumë e bukur e imja në “Bernabeu”. Më duhet të falënderoj klubin, që nënshkroi me mua, që më dha mundësinë të trajnoj Real Madridin.”