Ribery ka folur për shenjat e tij në fytyrë

Franck Ribery ka folur për shenjat e tij të fytyrës, të cilat i dhanë atij karakter dhe fuqi gjatë karrierës në futboll, por edhe jetës në përgjithësi.

35-vjeçari e ka rrëfyer jetën e tij të vështirë, veçanërisht në fëmijëri, në një intervistë me Canal+ Sport. Në këtë intervistë, futbollisti zbuloi se si ai ishte përballur me dhimbjen qysh në vitet e hershme të jetës.

Ribery e kishte pësuar një lëndim serioz në kokë në një aksident me veturë, kur kishte qenë vetëm dyvjeçar. Ai ishte dërguar shpejt në spital dhe i mori 100 qepje në kokë, pas aksidentit në vendlindjen e tij në Francë, Boulougne-sur-Mer.

Sipas raportimeve të Yahoo, ai nuk e kishte pasur rripin e sigurisë dhe kjo kishte bërë që ai të përplasej me xhamin e makinës.

Gjatë fëmijërisë së tij, njerëzit e shikonin me ngulm dhe bënin me gisht drejt Riberys në rrugë, duke thënë se shenjat e tij ishin të shëmtuara. Mirëpo, francezi pretendon se ato dolën të jenë pozitive.

“Njerëzit më thoshin: “Shikoni se çfarë ka ai në fytyrë, shikojani kokën. Çfarë është ajo shenjë? Është e shëmtuar!”. Kudo që shkoja, njerëzit më shikonin mua”, ka thënë Ribery për Canal+.

“Ata nuk më shikonin pse unë isha njeri i mirë ose pse emri im ishte Franck ose pse isha futbollist i mirë. Më shikonin për shkak të shenjës në fytyrë”.

“Shenja më dha karakter dhe fuqi. Sepse kur je fëmijë dhe ke shenja të tilla, nuk është aspak e lehtë. Mënyra se si njerëzit të shohin, komentet e tyre… e di që familja imë ka vuajtur për këtë gjë”.

“Njerëzit që flasin për ty janë prindërit e fëmijëve të tjerë dhe kjo është një gjë shumë e ligë. Unë kurrë nuk shkova në qyshe të dhomës për të qarë, përkundër dhimbjeve e vuajtjeve të mëdha”.

Ribery, i cili luante për Bayern Munichun, pretendon se shenja e tij e kishte motivuar kur ishte fëmijë.

“Problemi ishte se unë isha i ulur në ulëset e pasme dhe shkova fluturimthi drejt xhamit. Në njëfarë mënyrë, aksidenti më ndihmoi. Si fëmijë, më motivoi”, shtoi Ribery.

“Zoti ma dha mua këtë gjë që më dallon nga të tjetër. Shenjat e mia janë pjesë e imja dhe njerëzit duhet të më pranojnë kështu si jam”.