Rexhepi thotë se kriza komplikon zgjedhjen e Presidentit

119

Në lidhjen direkte nga Gjilani në Ora e Fundit i ftuar ishte deputeti i LDK-së nga ky qytet Fatmir Rexhepi.

Me Rexhepin u diskutua lidhur me kërkesën e nëndegës së fshatit Dobërçan për mosvotimin e Hashim Thaçit president dhe ftesa që i është bërë nga kjo nëndegë.
“Që të jem korrekt me elektoratin e nëndegës në Dobërcan, unë i falënderoj shumë ata për interesimin që të diskutojmë për çështje të caktuara, por i falënderoj për mirëkuptimin që të gjitha punët të shkojnë përmes degës, unë pres mirëkuptimin e tyre për këtë.”
“Ne kemi zhvilluar edhe më herët takime për mendimet e elektoratit, qoftë për koalicionin qoftë për vendimet e mëdha që janë marrë.”
“Unë mendoj që kjo nismë duhet të mos shkoj më tutje. Këto janë çështje të partisë dhe duhet të koordinohen në degë,” ka thënë Rexhepi, njofton Klan Kosova.
Më tej, Rexhepi ka  folur edhe për krizën parlamentare në Kosovë, ku ka komentuar protestat të cilat i ka konsideruar të nevojshme, por jo të bëhen me dhunë. Ai ka shtuar se dialogu është zgjidhja e krizës dhe nuk ka shprehur qartë mendimin e tij për zgjedhjen e Thaçit president.
“Protesta e Opozitës për motivet që janë nxjerrë dy tema shumë të rëndësishme për Kosovën, si Demarkacioni dhe Asociacioni, për të gjitha këto që kanë ndodhë mendoj që protestat kanë qenë të arsyeshme,unë jam përkrahës i protestave që janë paqësore, që kanë një mesazh, kanë një qëllim dhe të gjithë duhet t’i marrin parasysh kërkesat.”
“Por, nuk mund tejkalojmë përtej kësaj sepse në Kuvend ka pasur sjellje joparlamentare, pastaj mollotovi, unë mendoj që vetë liderët e Opozitës duhet t’i dënojnë këto akte.  Mendoj që ka ende hapësirë për zgjidhje dhe zgjidhja e vetme është vetëm brenda dialogut.”
“Në qoftë se nuk e zgjidhim krizën e mbajtjes së seancave unë nuk e shoh si do të zgjidhet presidenti. “
“Duhet të ulen dy palët të merren vesh cilat pika për Asociacionin të diskutohen gjithashtu edhe për Demarkacionin,” tha Rexhepi, përcjellë Klan Kosova.