Rexha: Drita lufton vetëm për titullin kampion!

Skuadra e Dritës është rikthyer në stërvitje të plota që nga e marta, pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa, FFK-ja ka vendosur që kampionati të vazhdoj nga data 7 qershor, por para fillimit të Superligës do të testohen të gjitha klubet për ‘Covid -19’.

Sulmuesi kryesor i skuadrës së Dritës, Kastriot Rexha në një intervistë për Gazetën inFokus ka folur për rifillimin e stërvitjeve në grup, për fazën përgatitore, për kushtet për vazhdimin e kampionatit si dhe garën për titull.

Rexha ka thënë se stërvitjet në grup po shkojnë mirë, derisa ka shtuar se edhe forma e skuadrës është e mirë.

“Po ne jemi duke stërvitur në grup të gjithë në përjashtim të Izair Eminit dhe për momentin gjithçka është duke shkuar mirë, forma e skuadrës duket të jetë e mirë”, tha fillimisht Rexha.

Sulmuesi shtatlartë mendon se tri javë përgatitje nuk janë të mjaftueshme.

“Po neve na janë dhënë këto 3 javë përgatitje edhe pse mendoj se nuk janë të mjaftueshme, mirëpo duhet bërë maksimumin që të përgatitemi”, u shpreh sulmuesi i Dritës.

27 vjeçari thotë se nuk ka kushte për vazhdimin e kampionatit, por shton se e kanë pritur pozitivisht vazhdimin e Superligës, pasi janë vetëm një pikë prapa Ballkanit.

“Po kushtet nuk janë edhe te favorshme duke ditë kushtet që janë, por ne e presim me vullnet pozitiv pasi që synimi jonë është të luftojmë për titull pasi që jemi vetëm një pik prapa liderit”, deklaroi ai.

Për fund Rexha tha se Drita me skuadrën që ka synon titullin.

“Normalisht me këtë skuadër që ka Drita synon titullin dhe do bëjmë maksimumin dhe shpresojmë që të ja dalim”, përfundoi Kastriot Rexha.

Pas 22 xhirove të zhvilluara, skuadra e Dritës renditet e dyta me 43 pikë, një pak se Ballkani që kryeson dhe dy më shumë se Gjilani e Prishtina që renditen në pozitën tre dhe katër.