‘Revolucion’ te Lacio/ Berisha drejt largimit, vjen Strakosha

181

Rezultatet jo shumë pozitive që Lacio ka arritur në ndeshjet e fundit në Seria A, pritet të shkaktojnë një ‘revolucion’ brenda klubit.

Mediat italiane shkruajnë se ndryshimet e mëdha pritet të bëhen në merkaton e verës dhe ato do të prekin jo vetëm stolin drejtues të skuadrës, por edhe disa lojtarë.

Një ndër ta është edhe portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit që aktivizohet me bardhekaltrit, Etrit Berisha.

Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, futbollisti që e ka vendin e sigurt është portieri Federiko Marketi. Ai rinovoi pak javë më parë kontratën me Lacion dhe që nga ai moment ka luajtur titullar në ndeshjet e Serisë A.

Ndryshe ka ndodhur me Berishën si portier i dytë, i cili është aktivizuar më së shumti në Kupën e Italisë dhe gjatë periudhës në të cilin Marketi ishte në prag rinovimi.

“Pas tij (Marketit) nuk do të jetë më Berisha, titullar i padiskutueshëm dhe protagonist i kualifikimit historik të Shqipërisë në Europian. Roli i zëvendësuesit dhe “portierit të kupës” i rri shumë ngushtë. Kështu Lacio, edhe pa dëshirë, do ta lejojë të gjejë një skuadër tjetër”,-shkruan gazeta italiane.Strakosha

Klubi kryeqytetas ka siguruar edhe Vargiç nga Rijeka si portier i tretë, por që me largimin e Berishës mund të kthehet në portier të dytë. Ndërsa vendin e tij mund ta zërë portieri i të rinjve, Thoma Strakosha. Ky i fundit është huazuar nga Lacio te Salernitana.