Refuzuan Shqipërinë, por Vrushaj e Durmishaj po vuajnë te Greqia!

Në Greqi është histori e ditur tashmë: “Nëse një dështim i madh vjen dhe ka lojtarë shqiptarë, faji i përket…atyre”.  Menjëherë pas atij barazimi të turpshëm ndaj Lihtshtejnit në shtëpi me shifrat 1-1, Vrushaj është ulur në stol. Jo vetëm që e kishim parë me fanellën e Greqisë, por edhe si titullar.

Në përballjen e sotme ndaj Italisë që u humb me shifrat 2-0, “çuditërisht” lojtari me origjinë shqiptare nuk është aktivizuar për asnjë minutë. Por duhet t’i gëzohet edhe kësaj, pasi nga ana tjetër, Fiorin Durmishaj, ishte duke parë gjithçka nga shtëpia.

Greqia i kishte “larë duart” prej kohësh nga Europiani, por me këtë ndeshje dhe fitore, ishte Italia që siguroi matematikisht kalimin në Europian. Në fakt, për “axurrët” nuk ishte edhe aq e lehtë kjo fitore. Helenët pas “dushit” të ftohtë që morën ndaj Lihtshtejnit, ishin të pakalueshëm në mbrojtje dhe e kishin përgatitur takimin në mënyrën më të mirë.

Goli i parë do të vinte në pjesën e dytë, ashtu siç edhe jemi mësuar me Italinë kur duhet të zgjidh momentet e vështira, nga penalltia. Ndërsa një goditje nga distanca e Bernadeskit e devijuar edhe nga lojtarët kundërshtarë, ka sjellë edhe golin e dytë, për të mbyllur historikun e ndeshjes.