Rebelohet Baca, Milani u jep gjysmë dite pushim lojtarëve

115

Që në momentin e parë kur Mihajlovic lajmëroi ekipin se do të niste grumbullimi u kuptua se disa prej lojtarëve nuk do ta mirëprisnin vendimin e trajnerit.

Humbja me Atalantën bëri që serbi pas konsultës që pati me Adriano Galianin të vendosnin që të grumbullonin ekipin në “Milanelo” deri ditën e shtunë kur do të luhet edhe dueli mes Milanit dhe Juventusit.

Rebeli – I pari që nuk e miratoi këtë hap të Milanit ishte Carlos Baca, i cili në emër të të gjithë lojtarëve që ishin impenjuar me kombëtaret respektive i ka kërkuar dje shoqërisë gjysmë dite pushim. Duke qenë se të enjten ishin kthyer nga Amerika Latine, Baca me shokë nuk kishin kaluar asnjë ditë në shtëpitë e tyre në Milano.  Drejtuesit e Milanit kuptuan pozitat e lojtarëve në fjalë duke pranuar kërkesën e kolumbianit.

Gruaja e Lopezit – Po dje kundër grumbullimit të lojtarëve reagoi edhe një tjetër lojtar i Milanit. Gruaja e Diego Lopezit postoi një fotografi të vajzës dhe portierit të Milanit me komentin: “Po tani, kush do t’ia lexojë vajzës sonë përrallat natën”. Një koment i tillë i referohej hapur zgjedhjes që bëri shoqëria kuqezi pas humbjes në Bergamo.

Strikt – Milani ka marra masa të tilla pasi e konsideron të papranueshëm rendimentin e ekipit në javët e fundit. Drejtuesit e “Djallit” janë të irrituar me lojtarët e tyre, pasi duket sikur këta të fundit impenjohen vetëm me ekipet që i paraprijnë në klasifikim. Sipas tyre nuk është një rastësi që Milani ka zhgënjyer vetëm me ekipet që e pasojnë në tabelën e klasifikimit.