Real Madrid afër transferimit të futbollistit të kombëtares së Serbisë (FOTO)

Real Madrid është shumë pranë firmës me një prej futbollistëve më të kërkuar në Europë, sulmuesin serb Luka Joviç. 21-vjeçari po mahnit këtë sezon duke realizuara me rregullsi të admirueshme si në kampionatin gjerman, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke e kthyer në objektivin e merkatos të shumë klubeve në Europë.

Eintraht Frankfurt vetëm pak ditë më parë bleu kartonin e lojtarit, duke paguar 6 milionë eurot që i detyrohej Benfikës. Gjermanët po fërkojnë duart tani, pasi e dinë se djaloshi do të shitet shumë më tepër se aq, edhe pse në fakt do të dëshironin ta mbanin të paktën edhe një vit tjetër në radhët e tyre. Drejtori sportiv, Fredi Bobiç, pranoi për “ZDF” se ishte thuajse e pamundur që të mbahej ky lojtar, sidomos duke llogaritur se e kërkonte një nga klubet më të mëdhenj në Europë.

“Padyshim që ekziston mundësia që Joviç të firmosë për Real Madrid. Shpresoj e dëshiroj që Luka të qëndrojë këtu, por gjithashtu jam realist dhe di që nëse një klub i madh vjen dhe e kërkon, ne nuk kemi asnjë shans”, tha ai.

Reali është takuar në ditët e kaluara me Fali Ramadanin, menaxherin e tij dhe i kanë prezantuar ofertën për futbollistin dhe planin sportiv për të ardhmen, duke i garantuar që shumë shpejt do të bëhej protagonist nën urdhrat e Zidan. Lojtari pritet të kushtojë 50-60 milionë euro, nga të cilat 20% do t’i shkojnë Benfikës.