Reagon VV: Gjyqi politik i zgjat paraburgimin aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

89

Levizja Vetevendosje, ka reaguar ndaj shtyrjes se seances gjyqesore per aktivistet e saj te cilit ishin arrestuar per protesten e 25 gushtit 2009 kunder EULEX-it, per te cilet u vendos te mbahet masa e paraburgimit. Vetevendosje e quan kete gjyq politik dhe thote se pushteti po e ben kete me qellim te dobesimit te saj ne permbushjen e rolit te saj si pjese e organizimit te protestave te ardhshme.

“Sot pushteti kishte urdhëruar mbajtjen e seancës gjyqësore për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të arrestuar për protestën e zhvilluar në 25 gusht 2009, kundër EULEX. Në këtë seancë u prunë para gjyqit aktivistët e arrestuar, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skënder Mërturi.

Për shkak të mospjesëmarrjes së dëshmitarëve, të cilët janë zyrtarë të Policisë së Kosovës, u vendos që seanca të shtyhet për datën 16 mars 2016, ndërsa për aktivistët u vendos që të mbahet e njëjta masë sigurie, pra paraburgimi. Arsyeja pse u zgjat paraburgimi për aktivistët është thjesht politike. Me mbajtjen e tyre pushteti synon të dobësojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila tashmë është pjesë e organizimit të protestave gjithëpopullore që kërkojnë të ndalin bërjen president të Hashim Thaçit dhe dorëheqjen e qeverisë antikushtetuese. Kurrë më shumë se në këtë seancë nuk është vënë re anshmëria politike e gjyqësorit.

Ky gjyq i padrejtë është i urdhëruar politikisht. Prania e EULEX në Kosovë vazhdon të ketë një natyrë koloniale, pasi EULEX nuk e njeh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Po ashtu EULEX nuk ka ndihmuar për të sjellë drejtësi në Kosovë. Përkundrazi, nën mbikëqyrjen e EULEX, ashtu si edhe më përpara në mbikëqyrjen e UNMIK, drejtësia e Kosovës ka dështuar, është korruptuar edhe më shumë, dhe nuk ka mbërritur të vërë para përgjegjësisë fajtorët për krime të mëdha të cilët janë të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Siç raportohet nga mediet dhe nga persona të brendshëm të EULEX, korrupsioni i drejtësisë vendore nuk ka mbetur pa prekur edhe vetë EULEX-in. Pra protesta jonë e vitit 2009 ishte e drejtë. Drejtësia nuk importohet. Sistemi vendor i drejtësisë e i gjyqësorit, së bashku me vlerat politike e shoqërore që e mbështesin, mund të ndërtohen vetëm si pasojë e një ideali demokratik e atdhedashës”, thuhet ne njoftimin e leshuar nga Levizja Vetevendosje.