Rasti Medicus – dënohen tre e lirohen dy nga te pandehurit

114

Më 6 nëntor 2015, Gjykata e Apelit, në kolegjin e përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një gjyqtari vendor, e ka vërtetuar dënimin e të pandehurve Lutfi Dërvishi dhe djali i tij Arban Dërvishi për krim të organizuar, lidhur me trafikimin me njerëz.

Gjykata e Apelit, po ashtu, e ka dënuar edhe të pandehurin S.H. për krim të organizuar, lidhur me trafikimin me njerëz. Veprat në fjalë janë kryer në Klinikën Medicus, në të cilën gjatë gjithë vitit 2008 janë kryer transplantime të shumta të kundërligjshme të veshkave. Gjykata e Apelit ka konstatuar se, megjithëse bastisja policore e kryer në Klinikën Medicus ka qenë e kundërligjshme, prapë mbeten prova të mjaftueshme se në të janë kryer shtatë (7) transplantime të kundërligjshme të veshkave. Megjithatë, provat se edhe të pandehurit I.B. dhe S.D. kanë qenë të përfshirë në veprën penale në fjalë janë të pamjaftueshme, prandaj Gjykata e Apelit të njëjtit i ka liruar.

Të pandehurit L.D. dhe A.D. dënohen me tetë (8) vjet burgim. I pandehuri S.H. dënohet me pesë (5) vjet burgim. Gjithashtu, të pandehurit L.D. i ndalohet ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy (2) vjetësh, ndërsa të pandehurit S.H. i ndalohet ushtrimi i profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej një (1) viti. /koha.net/