Rashkaj: Ja pse nuk luaj me Kosovën

427

Të gjithë ata që mbajnë mend ndeshjet e Kosovës ndaj Haitit dhe Turqisë, nuk kanë si të harrojnë paraqitjen e Anel Rashkajt.

Kapiteni i Kosovës në ato përballje shkëlqente në mesfushë, duke kujtuar edhe yjet botëror si Xavi Hernandez apo Zinedine Zidane. Mirëpo, në ndeshjet e fundit nuk është ftuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaki.

Rashkaj si shumë futbollistë tjerë i është gëzuar pranimit të Kosovës në UEFA. Këtë ai e thotë në një intervistë për Albinfo.ch.

“Ka qenë një lajm shumë i mirë. Kjo hap shumë rrugë, por do edhe shumë punë tjera. Për mua personalisht është një gëzim i madh që Kosova është pjesë e UEFA-s”, deklaroi Rashkaj.

Ai ka tri paraqitje zyrtare me Kosovën. Një lojtar shumë i afërt me tifozët kosovarë. Rashkaj flet edhe për mosparaqitjet e fundit me Kosovën dhe nuk i ka mbetur hatri që nuk është ftuar në takimet e fundit.

“Arsyeja pse nuk jam ftuar është se jam duke luajtur në Ligën e Dytë të Norvegjisë dhe nuk është nivel i duhur me qenë pjesë e Përfaqësueses. Derisa të luaj në këtë nivel, nuk pres që të ftohem”, theksoi ish-kapiteni i Kosovës, tash lojtar i Sandnes.