Ramos “kryqëzohet” edhe pse nuk ishte në fushë

Gjithë faji është i Sergio Ramos? Sigurisht, vendimi i vetëdijshëm për t’u ndëshkuar me karton të verdhë në ndeshjen e parë kundër Ajaxit, duke parë atë që ka ndodhur më pas, nuk ka qenë më i miri i karrierës së tij. Kapiteni ka menduar se kualifikimi i Realit në çerekfinalet e Champions League ishte i sigurt, por është gabuar.

Me të në fushë, në fakt, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Gjithsesi, ai karton i verdhë i marrë në Amsterdam do të mbetet i ngulitur në kujtesën e tij. Nëse nuk do të jetë kështu, atëherë do të mendojë dokumentari i tij që t’ia kujtojë.

Mbrëmja që Sergio Ramos ka kaluar në “Bernabeu” do të mbahet mend për një kohë të gjatë, por jo për mirë. Spanjolli e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna dhe, teksa Ajaxi shkatërronte Realin e tij, telekamerat kanë shkuar vazhdimisht tek ai, shprehja e të cilit në fytyrë është bërë gjithnjë dhe më e zymtë me kalimin e minutave.

Nuk kanë qenë vetëm telekamerat e TV të drejtuara nga ai, por edhe ato të Amazon Prime Video, të cilat, siç ka bërë të ditur “Marca”, po realizojnë një dokumentar mbi jetën dhe karrierën e qendërmbrojtësit të Real Madrid. Dhe nuk ka dyshime se nata e makthit kundër Ajaxit nuk mund të lihet jashtë.

Dhe të mendosh se dokumentari kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme… “Jam i lumtur që do të kem mundësinë t’u tregoj tifozëve të futbollit atë që duhet bërë për të qenë një atlet profesionist. Gjithashtu, edhe se çfarë do të thotë të jesh kapiteni i Real Madridit dhe Spanjës, duke jetuar njëkohësisht një jetë normale”, ka thënë Ramos.

Me këto fjalë e ka prezantuar dokumentarin, ku do të jetë e pamundur të mos përfshihet dështimi i Real Madridit. Nga ana tjetër, nëse dokumentari duhet të pasqyrojë jetën e një futbollisti, duhet të përfshihen edhe humbjet. Ku i dihet, Ramos mund t’ia kishte kursyer vetes këtë dhimbje nëse do të kishte qenë në fushë.