Prishtina nuk njeh limite. Skuadra kryeqytetase ka triumfuar edhe në ndeshjen e xhiros së 23-të të Superligës, derisa e ka mposhtur Llapin në shtëpi me rezultat të pastër 2-0, shkruan Gazetasheshi.com.
Fitorja ndaj kundërshtarëve të vështirë siç është Llapi, shton entuziasmin në kampin kryeqytetas se mund ta festojnë në fundin e kampionatit, megjithatë trajneri i kësaj skuadre Zekirija Ramadani bën thirrje për të qëndruar me ‘këmbë në tokë’.
“Nga fillimi i kampionatit kemi patur objektiv kryesor titullin e kampionit. Në fazën e parë nuk arritëm të instalonim filozofinë e lojës tonë dhe na kushtuan me disa rezultate jo shumë të mira. Se a do të festojmë në xhiron e fundit apo ajo mbetet të shihet, ne jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Ramadani.

“Futbollistët duhet të mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës dhe të japim maksimum në secilën prej tyre. Deri tani e kan kryer detyrën me shumë sukses dhe për këtë unë dëshiroj t’i përgëzoj ata. Tashmë kalendari shkon duke u vështirësuar dhe natyrisht që nuk do të jetë e lehtë as për ne”, përfundoi Ramadani.
Prishtina ngritet përkohësisht në pozitën e dytë të renditjes tabelare me 47 pikë.
Në xhiron e radhës, e cila zhvillohet në mesjavë, skuadra e Prishtinës përballet me Besën.
/Gazeta Sheshi/