Ramadani pa “doreza”, tregon kush janë dy yjet e skuadrës me të cilët është i pakënaqur

Shtatë vjet pa titull, sikur është bërë një situatë e padurueshme te FC Prishtina. Kjo bëri që drejtuesit e klubit “bardhekaltër” të mos kursejnë asgjë, duke e mbledhur pothuajse ajkën e lojtarëve më të mirë, madje edhe jashtë kufijve, në mënyrë që të arrijnë objektivin, me të cilin tifozët e Prishtinës janë mësuar më së shumti në Kosovë.

Gjithë këtë punë dhe investim drejtuesit e skuadrës ia besuan trajnerit kampion Zekirija Ramadanit dhe tashmë krejt çfarë ka mbetur te Prishtina është puna dhe rezultatet.

“Zëri.info” e vizitoi Prishtinën pak para stërvitjes së mëngjesit, ku po përgatitet për ndeshjen e radhës me Gjilanin, sfidë kjo që ekipin e gjen në një situatë shumë të mirë, pasi vjen pas dy fitoreve radhazi, ndaj Besës dhe Feronikelit.

Luajnë vetëm ata që e bindin në stërvitje

Disa lojtarë kanë ardhur me shumë bujë në ekip, si Leutrim Kryeziu ose Nikson Memaj. Kryeziu ka luajtur shumë pak, Memaj nuk ka debutuar fare. Pse?

Ramadani: Ata që luajnë në ndeshje, ata tregohen në stërvitje. Çka nënkupton kjo, pra në stërvitje nuk jam i kënaqur as nga Mema, as nga Kryeziu. Nëse ata me bindin në stërvitje, patjetër që do ta marrin minutazhin më të madh në fushë.

Prishtina në këtë afat kalimtar ka transferuar edhe lojtarë me peshë, si Gledi Mici, por në atë pozitë më parë ka luajtur edhe Leonit Abazi. Si po e menaxhoni këtë situatë, ku Abazit i është ndërruar pozita?

Ramadani: Krahasimi juaj nuk është i drejtë, pasi Mici nuk e ka zënë vendin e Abazit. Këtu ka vend për secilin futbollist. Kualiteti është i mirëseardhur. Abazi tani luan me ofensivë dhe unë jam i kënaqur me të. Patjetër që duhet përmirësuar dhe duhet punuar më tepër.

Prishtina i ka nën kontratë 31 futbollistë, sigurisht se të gjithë presin të aktivizohen, a është ky problemi më “i ëmbël” që e keni në ekip?

Ramadani: Ky problem është si ajo “thika me dy tehe”. Problemi “i ëmbël”është që kemi shumë zgjidhje. Problemi tjetër është se duhet të harxhojmë shumë energji për ta mbajtur të përgatitur secilin futbollist.