Qiproja e fortë për Kosovën

188

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje në miqësoren e sotme të zhvilluar kundër Përfaqësueses së Qipros me rezultat 79:62.

Të përzgjedhurit e Arben Krasniqit ishin më të mirë se qipriotët vetëm në çerekun e parë, të cilin e përfunduan me gjashtë pikë epërsi, 20:14. Më pas kundërshtari tregoi forcën e tij të vërtetë dhe kaloi në epërsi në çerekun e dytë, për ta rritur gradualisht epërsinë në vijim.

Fisnik Rugova tregoi paraqitje mjaft të mirë në këtë ndeshje, duke luajtur me double-double prej 19 pikëve dhe 13 kërcimeve, ndërsa pikë dyshifrore shënoi edhe Dardan Berisha, që luajti me 11 pikë.

Për Kosovën në këtë ndeshje nuk u paraqitën fare Drilon Hajrizi dhe Samir Zekiqi, ndërsa pjesa tjetër e ekipit kishte minutazh të mjaftueshëm për ta treguar veten.