Qeveria pa qëndrim për sjelljen e ministrave serbë që i duartrokasin mitit “Kosova është Serbi”

156

Sjelljet e ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i duartrokasin thirrjeve “Kosova është Serbi”, për deputeten e LDK-së Vjosa Osmani janë të papranueshme.

Madje ajo kërkon nga institucionet e vendit, që t’i marrin seriozisht rastet e tilla dhe të kërkojnë nga ministrat serbë, që sjelljet e tyre të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe të mos vazhdojnë një injorim total të shtetit të Kosovës, ashtu siç kanë bërë deri më tani.

Megjithatë Qeveria nuk ka ndonjë qëndrim konkret për këtë sjellje të anëtarëve të saj që vijnë nga Lista Serbe dhe se në shumë raste e përdorin fjalën “Kosmet” në vend të Kosovës.

Reagimi Osmanit ka ardhur pas publikimit të një videoje nga KosovaPress ku tre anëtarë të kabinetit të Qeverisë së Kosovës nga komuniteti serb, në një solemnitet të organizuar në veriun e Mitrovicës, shihen duke duartrokitur derisa pjesëmarrësit që janë tifozë të ekipit të reprezentaciont serb në vaterpolo brohorasin “Kosovo është zemra e Serbisë”.

Në këtë solemnitet shihet se kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq, ministri i Pushtetit Lokal Lubomir Mariq dhe ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq.

Deputetja Vjosa Osmani, ka thene për KosovaPress, se sjellja e ministrave serb nuk përbën befasi, për cilindo që ka përcjellë aktivitetin e ministrave që vijnë nga Lista Serbe, duke pasur parasysh lojalitetin e vazhdueshëm, që ata kanë treguar ndaj shtetit fqinj Serbisë. Ndërsa thotë se përfundimisht ka ardhur koha, që institucionet e vendit të kërkojnë nga ministrat në fjalë, që të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Kjo është shumë për të ardhur keq. Sepse është kthim prapa, për të arriturat që Kosova ka pasur në raport me integrimin e pakicës serbe dhe pakicave tjera. Sepse siç e dini në mandatet e kaluara, përkundër dallimeve që mund të kemi pasur me përfaqësuesit serbë në Kuvend apo Qeveri, nuk kemi pasur raste të tilla të shkeljeve flagrante të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Prandaj besoj që ka ardhur koha që institucionet e Kosovës, seriozisht të bisedojnë me këta përfaqësues dhe të kërkojnë nga ta, sjellje të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit. Dhe jo të vazhdojnë një injorim total të shtetit të Kosovës, të cilin e kanë bërë me vite me radhë. Sepse kjo tregon se dhe dialogu Kosovë-Serbi, që ka pasur për qëllim pajtimin, siç është thënë së paku dhe integrimin e serbeve siç është thënë vazhdimisht nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk është arritur. Sepse kemi ministra që i duartrokasin një miti, i cili është kundërshtuar jo vetëm nga Kosova dhe populli i saj, por edhe nga e tërë bota demokratike”, tha Osmani.

E Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës thotë se Qeveria nuk ka një qëndrim konkret rreth kësaj që ka ndodhur në veri të Mitrovicës. Ndërsa thotë se duhet të punohet më shumë në marrëdhëniet ndëretnike dhe përmirësimin e tyre.

Ndryshe Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq, ministri i Pushtetit Lokal Lubomir Mariq dhe ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq, në një video të siguruar nga KosovaPress, shihen jashtëzakonisht të disponuar dhe duke duartrokitur, së bashku me pjesëmarrësit tjerë, teksa brohorisnin refrenin “Kosovo je srce Srbije”(Kosova është zemra e Serbisë), gjatë një pritje në Veri të Mitrovicës, që iu bë reprezentacionit të Serbisë në sportin vaterpolo, i cili ditë më parë zuri vendin e parë në Kampionatin Evropian në Beograd./KosovaPress/