Qeveria kërkon gjysmë miliardi euro borxh për 7 projekte

97

Qeveria e Kosovës ka bërë gati listën e projekteve kryesore investive në Kosovë të cilat do t’i financoje me kredi, ku bëjnë pjesë 7 projekte hekurudhore, rrugore dhe sisteme të ujitjes. Vlera e përgjithshme e të cilave pritet të jetë 540 milion e 41 mijë euro.

Raporti i përgatitur nga Ministria e Financave ka paraqitur detajet e disa projekteve që planifikohet të përfshihet në rishikimin buxhetor 2016 ose në buxhetin e vitit 2017, transmeton Gazeta Fjala.

Rehabilitimi i rrugës hekurudhore 10 – ky projekt do të zbatohet nga ndërmarrja publike Infrakos, çmimi i së cilës parashihet të jetë 195 mijë euro.

Financuesi i mundshëm i këtij projekti do të jetë BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve. Rehabilitimi i rrugës hekurudhore 10 si projekt rajonal pritet të lidhë rrjetin hekurudhor të Kosovës me dy vendet fqinje-Serbinë dhe Maqedoninë.

Ky projekt ka tri faza, e para Fushë Kosovë-Hani i Elezit, faza e dytë Fushë Kosovë-Mitrovicë kurse e treta Mitrovicë-Leshak.

Ndërtimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Prishtinë-Fushë Kosovë – Aeroporti i Prishtinës Adem Jashari. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës, i cili ka koston prej 40 mijë euro.

Rehabilitimi i Ibër-Lepencit përmes së cilit parashihet ndërtimi i një rezervuari të madh përgjatë kanalit, që sipas parashikimeve shihet nevoja e investimeve në vlerën rreth 25 milion euro.

“Varësisht nga vendimi për ndërtim dhe nga lartësia e investimeve qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të përcaktojmë nëse Ndërmarrja Ibër Lepenci do të marrë kredi direkte apo nëse qeveria do të marrë hua për kompaninë”, shkruan në klauzolën e investimeve.

Rehabilitimi i rrugëve rajonale- Ky projekt parashihet të përmirësoj disa hyrje/dalje të rëndësishme në qytetet e Kosovës dhe rehabilitimin e një rruge të gjatë 17 kilometra të gjatë. Kostoja e këtij projekti pritet të jetë 29 milion euro dhe do të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Zegjerimi Prishtinë-Pejë, ky projekt përfshinë ndërtimin e rrugës Kijevë-Klinë-Zahaq një distancë prej 30 kilometrash. Kostoja e të cilit shkon deri në 60.8 milion euro.

Rehabilitimi i përgjithshëm i linjës hekurudhore lindore dhe jugore – 158.5 milion euro pritet të jetë kostoja e këtij projektit implementimi i të cilit do të bëhet nga ndërmarrja Infrakos.

Rehabilitimi i linjës hekurudhore përbëhet nga dy faza të implementimit, e para do të jetë nga kufiri me Serbinë përmes Podujevës deri në Fushë Kosovë kurse faza e dytë linja nga Klina në Prizren.

Zgjerimi i sistemit të ujitjes së kompanisë “Radoniqi”, ky projekt sipas parakishimvene pritet të kushtoj 31.5 milion euro. /Gazeta Fjala/