Qeveria e Kosovës, një “odë e burrave” që diskriminon femrat

141

Qeveria e Kosovës ngjason me ‘odë të burrave’ edhe në aspektin e të punësuarve. Gjinia mashkullore dominon nëpër të gjitha pozitat e larta, duke filluar nga kryeministria për të vazhduar me ministritë, e edhe nivele të tjera të larta të Administratës Publike.

Me gjithë premtimet e kryeministrit Isa Mustafa, i cili me të marr këtë pozitë pati premtuar që gjinia femërore do të ketë një përfaqësim më të larë në institucione, kjo nuk shihet në Qeverinë e Kosovës. Këtë Mustafa, e përmendi edhe pas një vit e disa muaj qeverisje.

“Të nderuara gjithë ju zonja që jeni këtu me ne, edhe ju zotëri në një numër më të vogël. Dhe kjo është fryma e forumit të gruas, që zotërinjtë t’i zvogëlojmë në numër sa i përket institucioneve, përfaqësimit të tyre. Unë e di që të gjithë jemi borxhlinj dhe se kemi dhënë premtime e ato duhet t’i përmbushim”, tha ai.

Por stafi i të punësuarve në Qeverinë e Kosovës është i dominuar me meshkuj, duke filluar nga kreu i Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa. Në kabinetin e kryeministrit Mustafa janë vetëm tri femra, ndërsa shtatë prej të punësuarve janë meshkuj. Pas vetës, kryeministri Mustafa ka edhe dy zëvendëskryeministra meshkuj, Kujtim Shalën dhe Branimir Stojanoviqin.

Nga 21 ministri sa janë në Republikën e Kosovës, vetëm dy prej tyre janë të udhëhequra nga femrat. Hykmete Bajrami është në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e Edita Tahiri është ministre pa portofol, e cila udhëheq dialogun me Serbinë. Ndërsa, në krye të 19 ministrive të tjera janë meshkuj.

Sekretari i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit është Fitim Krasniqi, pasuar nga sekretarët e përgjithshëm të 19 ministrive që janë të gjinisë mashkullore, ndërsa këtë pozitë nuk e gëzon asnjë femër nëpër ministritë e Republikës së Kosovës. Ngjashëm mund të themi edhe për udhëheqësit e departamenteve nëpër ministri, ku sipas të dhënave të publikuara nëpër faqet e tyre zyrtare, rezulton se mbi 70 për qind e udhëheqësve të departamenteve janë të gjinisë mashkullore.

Dallim në këto pozita, kemi në Ministrinë e Kulturës, ku prej 10 departamenteve të kësaj ministrie, tetë prej tyre janë të udhëhequra me femra, ndërsa dy drejtorë të tjerë janë të gjinisë mashkullore.

Duke u bazuar në të dhënat e publikuara në faqet zyrtare të ministrive rezulton se nga 36 zëvendësministra, zëvendësministre nëpër ministri janë: Elfete Shabani në Ministrinë e Kulturës, Besa Zogaj në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Anila Statovci në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Biljana Popoviq në Ministrinë e Financave dhe dy zëvendësministre në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përderisa edhe në këto pozita, shumica u mbetet meshkujve, ku në ministritë që nuk janë të përmendura më lartë, në pozitat e zëvendësministrave nuk ka femra të punësuara.

Kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ndue Kukaj, lidhur më këtë thotë për KosovaPress se një nga parimet themelore të ligjit të Shërbimit Publik të Kosovës është edhe parimi i mundësisë së barabartë të punësimit në administratë të të dy gjinive. Por, sipas tij, në Kosovë kjo lë për të dëshiruar.

Ndonëse për këtë nuk ka ndonjë statistikë, ai tha se nëse flasim për nivelet e ulëta të punësimit, atëherë rezulton se ka një numër të konsiderueshëm të femrave të punësuara, por sipas tij, një gjë e tillë nuk po ndodh në nivelet e larta, ku kemi një diskriminim të theksuar gjinor.

“Marrëdhënia e punës në shërbim civil nga viti 2010 rregullohet me një ligj unik që quhet ligji mbi shërbimin Publik të Kosovës. Në të këtë ligj janë të përmendura edhe parimet themelore të punësimit të shërbyesve civil në Administratë s Publike në nivelin lokal dhe në atë qendror. Një ndër parimet themelore është edhe parimi i mundësive të barabarta të punësimit në administratën publike të dy gjinive, për fat të keq kjo lenë për të dëshiruar. Në qoftë se i referohemi këtyre kategorive më të larta, nuk po them, pasi që në një institucion mundet me qenë numri më i lartë i të punësuarve të kategorive të ulëta të gjinisë femërore në raport me gjininë mashkullore. Por nëse i referohemi kategorive më të larta, atëherë kjo lë për të dëshiruar”, tha Kukaj.

Kukaj më tej tha se Qeveria duhet të punojë për eliminimin e militanizimit, gjë që sipas Kukajt ka ndikuar që të mos ndodh edhe përfaqësimi i mundësive të barabarta për të dy gjinitë.

Ai shtoi se Qeveria duhet të riformojë administratën publike, dhe të punësojë më shumë femra në nivelet e larta, ku vërehet diskriminimi i theksuar gjinor.

“Duhet punuar për eliminimin e militanizmit, ku për fat të keq, shkaku kryesor i punësimit të njerëzve të partisë, varësisht prej cilit nivel janë, ka ndikuar që edhe profesionalizmi edhe përfaqësimi i mundësive të barabarta të dy gjinive edhe nivelizimi i pagave as në vitin 2016 nuk ka ndodhur. Dhe kjo është në kundërshtim jo vetëm me ligjin, por në kundërshtim edhe me çdo aspekt tjetër, që në një farë forme paraqet edhe diskriminim”, tha ai.

Lidhur me numrin e të punësuarve në nivele më të ulëta të Administratës Publike, Sindikata nuk ka statistika, por sipas tyre, ky nivel qëndron dukshëm më mirë se nivelet e larta në këtë aspekt.