PSG kërkon rekordet, titulli më herët se Bayern Munchen

80

Dy vjet më parë, Bayern-i i Pep Guardiolës e ‘ekzagjeroi’ me performancën në Bundesliga-n gjermane, duke u shpallur kampion 7 javë nga fundi i kampionatit.

Në 25 mars, në atë kohë bavarezët vendosën rekord, por PSG këtë sezon në futbollin europian mund të bëjë edhe më mirë, madje që këtë të diel.

Formacioni transalpin me Blanc në pankinë dhe Zlatan Ibrahimovic në fushë, mund të zyrtarizojnë titullin e katërt radhazi nëse fiton ndaj Troyes, skuadra e fundit në renditje.

Gjithmonë ky rezultat duhet të kombinohet me ndalesën e Monaco-s të premten kundër Reims.

Në këtë mënyrë, PSG mund të thyejë rekordin e Lionit në vitin 2007, kur atëherë ky formacion i mbylli llogaritë në javën e 33 të Ligës franceze.

Situata aktuale në renditje vendos Monaco-n me 23 pikë diferencë dhe kjo tregon dominimin absolut nga ana e kampionëve të Francës në fuqi.

PSG shpreson që të arktivizojë titullin e radhës duke patur sërish mbrojtjen dhe sulmin më të mirë, duke kaluar kuotën 100 pikë në total.

Nëse kjo arrihet në fundjavë, parizienët mund të fokusohen në Ligën e Kampioneve si objektiv plotësisht i arritshëm.

Suksesi i fundit në “Stemford Bridge” i ka forcuar pozitat e francezëve, që nëse më parë eliminoheshin edhe për gabime arbitrale, tani kanë edhe fatin me vete në kupën me “veshë të mëdhenj”.

Sezoni i shkëlqyes i PSG, mund të kompletohet edhe me dy kupat kombëtare të Francës, për të cilët formacioni kryeqytetas është plotësisht në garë. / Top Channel/