Pse Bayerni i prezantoi lojtarët fillimisht në anglisht?

158

Dje, klubi bavarez prezantoi blerjet për sezonin e ri futbollistik në një mënyrë të pazakontë. Teksa skuadra po stërvitej në stadiumin “Allianz Arena” para 12 mijë tifozëve, zyra e shtypit organizoi një “talk-show”, e cila u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare të klubit në “Facebook” … në anglisht! “Pse e bëri Bayerni këtë?” – pyeti menjëherë gazeta gjermane “Bild”, e cila përgjigjen e dha po vetë. Bayerni dëshiron të përhapet në tregun global, të ketë sa më shumë tifozë ndërkombëtarë. Prezantimi i Mats Hummelsit dhe Renato Sanchesit fillimisht në gjuhën angleze sigurisht që duhet t’u ketë pëlqyer tifozëve anembanë botës, ndonëse ata nga Gjermania mund të mos jenë ndier edhe aq mirë.

Gjatë konferencës ndryshe, mbrojtësi i transferuar nga Dortmundi, Hummels, pranoi se të dielën e ardhshme, në Superkupën e Gjermanisë kundër ish-skuadrës së tij, tifozët verdhezi mund ta ofendojnë. “Natyrisht, do të ketë disa njerëz të cilët do të më presin mirë, ashtu si shumë të tjerë të cilët do të më fërshëllejnë pa mëshirë, por kjo nuk e ndryshon qëndrimin tim. Dhe gjithashtu nuk ka efekt në performancën time”, – u shpreh kampioni i botës. Ai i Evropës, Sanches, gëzoi menjëherë tifozët bavarezë. “Këtu atmosfera është si te Benfica. Jam që tani tifoz i Bayernit!” – ishin fjalët e tij të para në Mynih.