Protestuesit e pakënaqur me dorëheqen e Grabovcit, kërkojnë rrëzimin e Qeverisë

Për të katërtën herë me radhë qytetarët kanë protestuar kundër Qeverisë pas përgjimeve të publikuara në media ku protagonistë kryesorë janë Adem Grabovci dhe zyrtarë të lartë të PDK-së.

Protesta filloi në sheshin “Zahir Pajaziti’ për t’u ndalur te Teatri Kombëtar me ç’rast u bë thirrje që edhe herave të ardhshme të ketë protesta të tilla.

#Protestoj janë  një grup qytetarësh të cilët të pakënaqur me qeverisjen e tanishme po vazhdojnë me protesta  me qëllim të rrëzimit të kësaj qeverie.

Protestuesit gjatë marshimit nëpër sheshet e Prishtinës, sapo kuptuan se Adem Grabovci ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së kanë filluar të duartrokasin dhe brohorasin “Adem Pronto Grabovci ka dhënë dorëheqje”.

Njëri nga organizatorët Hajrulla Çeku nga “Ec ma Ndryshe” tha se  protesta do të vazhdohet derisa të  realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Ai më tej tha se këto përgjime po dëshmojnë që ky vend është vend i krimit dhe  i korrupsionit.

Ai tha se nuk mjafton vetëm dorëheqja e Grabovdit sepse  nuk është vetëm një individ, por është një bandë e tërë  apo një grup kriminelësh që po e shkatërrojnë vendin.

Çeku tha se prapa kësaj proteste qëndrojnë qytetarët e pakënaqur, ndërsa përpara qëndron ideali për një Kosovë të lirë.

Çeku tha se ‘Protestoj’ është bashkim i të gjitha grupeve të pakënaqura të kësaj shoqërie dhe i gjithë atyre që e duan një vend më të mirë dhe nuk pajtohen me qeverisjen e ‘pronto mafisë’ në Kosovë.

Organizatorët kanë thënë se  rezistenca qytetare është forma e fundit që  ka mbetur në dispozicion, sepse mjetet tjera u janë marrë. /KosovaPress/