Protestohet kundër largimit të punëtorëve nga puna

94

Sindikalistët e Federatës së Pavarur Elektrokosova kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, për të kundërshtuar largimin e punëtorëve nga puna dhe për të kërkuar zbatimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive, duke ruajtur të gjitha vendet e punës.

Vetëm gjatë javës së kaluar, 80 punëtorë janë larguar nga puna në KEDS. Ata thanë se protestat e tyre nuk do të ndalin deri në ndalimin e këtij fenomeni, sepse sipas tyre, marrëveshja e përgjithshme kolektive, e cila ua siguron të drejtat e punës është obligative.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të pavarura të ElektroKosovës, Sherfi Fejzullahu, tha se 80 kolegë të tyre janë larguar nga puna, vetëm javën e kaluar në mënyrë të padrejtë.

Ai thotë se u bënë me dije Qeverisë dhe institucioneve se kontrata kolektive është obligative, prandaj, nëse nuk respektohet ajo, protestat do të vazhdojnë.

Sipas tij, nënshkrimi i kësaj kontrate që garanton të drejtat e punëtorëve nuk vlen për KEDS-in, meqë ata po largojnë punëtorë nga puna.

Nënkryetari i BSPK-së, Avni Hajdini ka thënë se nuk do të tolerojnë diskriminimin e punëtorëve, pasi që të gjitha kërkesat e paraqitura janë legjitime dhe janë të parapara në marrëveshjen kolektive të nënshkruar.

Ai ka përmendur edhe mbylljen e Ferronikelit, ku tha se 900 persona kanë mbetur të pa punë. Sipas tij, Qeveria duhet të ndërmarra masa urgjent për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Në përkrahje të sindikalistëve kanë dalë edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Postës dhe Telekomit. Lamih Balaj, kryetar i kësaj federate tha se Qeveria e Kosovës po largon njerëz nga puna, ngjashëm siç ka bërë okupatori gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së pavarur të Elektrokosovës, Hysni Gashi, tha se nuk do të lejojnë që kjo Qeveri, siç e quajti ai, e kalbur dhe e prishur, të krijojë eksode sikur në janarin e vitit 1915.

Ai thotë se të gjitha përpjekjet e tyre dhe mosmarrëveshjet kanë hasur në veshë të shurdhër, pasi që kontrata është nënshkruar vetëm për t’i mashtruar punëtorët.

Arsyetimin e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, se marrëveshja është e zbatueshme vetëm aty ku ka mjete, ai e ka quajtur të papranueshëm.

Punëtorët paralajmëruan protestë të radhës në rast se Qeveria nuk ndërmerr hapa konkret për zbatimin e marrëveshjes kolektive./KosovaPress/