Priten ndryshime në të ardhmen për testin e maturës

162

Vetëm ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet akademike mund t’i nënshtrohen testit të Maturës Shtetërore, ka raportuar KTV.

Të tjerët që nuk kanë këtë ambicie nuk janë të obliguar të hyjnë në testim dhe automatikisht do të marrin diplomën e shkollës së mesme.

Ligji i ri për Maturën Shtetërore po ashtu parasheh edhe uljen e pragut të kalueshmërisë, nga 50%, sa ishte në vitin e kaluar, në 40%.

Por, nxënësit dhe studentët mendojnë se nuk duhet dhënë të gjithëve diplomën pa hyrë në test, sepse kjo mund të jetë konkurrencë e drejtpërdrejtë mes nxënësve të suksesit të mirë dhe atyre të dobët.

Njohësi i çështjeve arsimore Dukagjin Pupovci ka thënë se testi i maturës njëherë për njëherë është instrumenti i vetëm për të kontrolluar cilësinë në arsim.

Pjesa e parë e testit të Maturës Shtetërore do të mbahet me 4 qershor, ndërsa pjesa e dytë me 18 qershor.

Afati i dytë, ai i gushtit, ende nuk është përcaktuar nga Ministria e Arsimit.