Prishtina është fitusja më e madhe në këtë xhiro

Çdo javë që zhvillohet në Superligën e Kosovës e bën edhe më interesante rrjedhën e kampionatit kosovar të futbollit.

Kur kanë kaluar 15 javë në elitën e futbollit të Kosovës, shumë skuadra kanë synime të mëdha për titullin e kampionit.

Ballkani, Gjilani, Drita, FC Prishtina, Llapi dhe Feronikeli janë skuadrat pretendente për titullin e kampionit të Kosovës në futboll.

Por, java e 15-të i shkoi përshtati vetëm FC Prishtinës.

Skuadra e Armend Dallkut ishte e vetmja nga kandidatët potencial për titull që arkëtoi pikë të plota në javën e 15-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra më e trofeshme në vend triumfoi në derbin rajonal kundër Llapit me rezultat 1:4 në ndeshjen e zhvilluar në ‘Zahir Pajaziti’, në Podujevë.

Ndonëse humbi 2:3 nga Feronikeli në mesjavë, prishtinasit treguan se nuk e kanë ndërmend të lëshojnë ‘pe’ këtë edicion për titullin e kampionit, i cili mungon tash e disa vite në kryeqytet.

Në anën tjetër, ndeshja derbi e kësaj jave mes dy pretendentëve Feronikelit dhe Dritës përfundoi baras pa gola në ‘Rexhep Rexhepi’, në Drenas.

Ndërkaq, në dy ndeshjet e zhvilluara sot, të kandidatëve tjerë si Gjilani dhe Ballkani, nuk u arritën assesi fitoret.

Gjilani barazoi në shtëpi 1:1 me Drenicën, ndërkaq Ballkani i Ismet Munishit lëshoi dy pikë në ‘Riza Lushta’ duke barazuar pa gola me Trepçën’89.

Pas javës së 15-të, Gjilani mbetet lider së bashku me Ballkanin, skuadra këto që kanë tubuar 31 pikë pas 15 ndeshjeve.

Pamje nga ndeshja SC Gjilanin 1-1 FC Drenica (10/11/2019)

Gjilani dhe Ballkani janë të ndjekura nga Drita që ka tubuar 28 pikë deri më tani.

Kurse, FC Prishtina me fitoren 1:4 ndaj Llapit, ka 27 pikë, katër pikë larg kreut të tabelës.

Llapi - Prishtina 1-4 Armend Thaqi

Dhe për fund, vendi i pestë i takon Llapit me 24 pikë, derisa Feronikeli mban vendin e gjashtë me 23 sosh.

Ndryshe, dy ndeshjet e mbetura të kësaj xhiro zhvillohen nesër në Klinë dhe Vushtrri.

Dukagjini është nikoqir i Flamurtarit, derisa Vushtrria e pret në ‘Ferki Aliu’ Ferizajn e Bekim Isufit.