Prishtina e plotë ndaj Gjilanit, ‘kuqebardhët’ pa njërin ndër futbollistët kryesorë

Foto: fcprishtina.com

Dueli kryesor i javës së gjashtë në Superligën e Kosovës në futboll do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, teksa Prishtina pret liderin e kampionatit Gjilanin, shkruan Gazetasheshi.com.

Klubi kryeqytetas ka patur jo pak turbulenca këtë edicion, teksa gjithçka kulmoi me largimin e kryetrajnerit Bylbyl Sokoli një ditë përpara ndeshjes me SC Gjilanin, ani pse “Profa” ende nuk i ka bërë as 20 ditë të plota qëkur mori drejtimin e ‘bardhekaltërve’ pas shkarkimit të Mirel Josës.

Në krye të skuadrës është vënë tashmë Armend Dallku, i cili për duelin ndaj Gjilani ka të gatshëm të gjithë futbollistët, megjithëse sulmuesi Ahmed Jonuzi dhe anësori Leonit Abazi ende nuk janë në gjendjen optimale.

Njejtë nuk mund të thuhet edhe për homologun e tij te Gjilani, Gentjan Mezani, i cili për duelin e së dielës mbrëma do ti vuajë mungesat e Ylli Shametit dhe Kushtrim Shabanit, sidomos këtij të fundit i cili po kalonte në një formë fantastike në javët e fundit.

Për shkak të lëndimit pritet të mungojë edhe sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Keita Razak.

Pjesë e listës tashmë pritet të jetë edhe ardhja e fundit Franc Veliu, i cili megjithatë nuk është në gjendjen optimale.

Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” e fillim nga ora 20:00.

/Gazeta Sheshi/